Van Dijk: Pas vështirësisë vjen mundësia, do të kthehem edhe më i fortë

0
322

Virgil van Dijk premton se do të kthehet më i fortë se më parë, pas konfirmimit nga Liverpooli se mbrojtësi ka nevojë për operacion të ligamentit të gjurit. Qendërmbrojtësi holandez u përplas me portierin e “Toffees”, Jordan Pickford, gjashtë minuta pas nisjes së derbit të Merseyside, të shtunën pasdite. Çuditërisht, për “gardianin” e Evertonit nuk u mor asnjë masë ndëshkimore.

Në qëndrimin zyrtar të Liverpoolit nuk përcaktohet koha e nevojshme për riaftësimin e mbrojtësit, por ekziston frika se mund të ketë humbur sezonin.

Në lidhje me situatën e tij, van Dijk ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale:

“’Këtë pasdite u takova me konsulentin kryesor për nisjen e procesit të planifikimit të detajeve më të hollësishme të rehabilitimit tim pas incidentit (të së shtunës). Tani jam plotësisht i përqendruar në shërimin tim dhe do të bëj gjithçka që të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pavarësisht zhgënjimit, unë jam besimtar i patundur. Brenda vështirësisë qëndron mundësia dhe me ndihmën e Zotit do të sigurohem që të kthehem më mirë dhe më i fortë se më parë.

Në futboll, ashtu si në jetë, gjithçka ndodh për një arsye. Është shumë e rëndësishme të ruash qetësinë dhe përqendrimin e të mos biesh moralisht.

Me mbështetjen e bashkëshortes, fëmijëve, familjes dhe të gjithëve në Liverpool, jam gati për sfidën që më pret. Do të doja t’ju falënderoja të gjithëve për mesazhet mbështetëse, kjo do të thotë shumë për mua dhe familjen time.

Tani do të bëj gjithçka për të mbështetur shokët e mi të skuadrës në çdo mënyrë që mundem përpara javëve shumë të rëndësishme, ndërkohë që do të punoj për riaftësimin tim ditë pas dite. Do të kthehem.”/SS/

Leave a Reply