Van Dijk gati të rikthehet në fushë

0
335

Pas më tepër se 9 muajsh larg fushave të futbollit, Virgil Van Dijk është gati të rikthehet. Mbrojtësi holandez mungon që prej 17 tetorit të vitit të kaluar, ku një ndërhyrje e rëndë e portierit Pickford në derbin ndaj Evertonit, i shkaktoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe operacioni u bë i pashmangshëm.

Megjithatë kur kanë kaluar më tepër se 9 muaj nga dëmtimi, mbrojtësi 30-vjeçar duket se ka lënë gjithçka pas krahëve dhe është gati të provojë rikthimin gradual në fushën e lojës, duke nisur nga kjo e enjte në miqësoren ndaj Herthës së Berlinit.

Lajmin e ka dhënë trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i cili deklaroi se pret që Van Dijk të mund të luajë të paktën 20 apo 30 minuta në miqësoren ndaj klubit gjerman, për të vijuar më pas me rritjen graduale të ngarkesës.

“Virgil duket shumë mirë në stërvitje dhe do të bisedoj me të para se të vendosim, por besoj se do të mund të luajë 20 apo 30 minuta. Duam ta përfshijmë gradualisht dhe besoj se ndaj Herthës do të jetë momenti që të zbresë sërish në fushë”, u shpreh trajneri gjerman.

Mbrojtësi që ndihmoi jo pak Liverpoolin të triumfojë në kampionatin anglez dhe Ligën e kampionëve, këtë sezon la një boshllëk të madh në prapavijën e “the reds”, të cilin Klopp nuk e mbushi dot edhe pas ndërhyrjeve në merkato.

Gjithashtu dëmtimi e la Van Dijk edhe jashtë Kampionatit Europian, aty ku Holanda dështoi që në fazën e 1/8-ave dhe pikërisht pas një gabimi në mbrojtje nga ana e Mathijs De Ligt./SS

Leave a Reply