Tottenham sërish pazar te Atalanta, ofron 50 milionë euro për Romeron

0
325

Tottenham ka nisur përgatitjet para-sezonale nën drejtimin e trajnerit portugez Nuno Espirito Santo, ndërsa drejtori sportiv Fabio Paratici vijon të tregohet mjaft aktiv në merkato për të kompletuar ekipin para nisjes së kampionatit.

Kështu vetëm të enjten në Londër përfundoi portieri italian Pierluigi Gollini, i cili u transferua nga Atalanta në huazim me të drejtë blerjeje për shifrën e 15 milionë eurove, që mund të bëhet edhe detyrim blerjeje nëse gardiani plotëson një numër të caktuar paraqitjesh.

Megjithatë reparti më i kritikuar i londinezëve sezonin që lamë pas ka qenë ai i prapavijës dhe “Spurs”-at duket se kanë gjetur qendër-mbrojtës sërish te Atalanta, pasi janë në fazë të avancuar në negociatat për transferimin e argjentinasit Cristian Romero.

Ky i fundit vjen pas një sezoni mjaft pozitiv me Atalantën, teksa vetëm pak ditë më parë u shpall kampion në Amerikën Latine me Argjentinën dhe tani është gati për të bërë një tjetër hap të madh në karrierë.

Oferta e parë e Tottenhamit është ajo e 40 milionë eurove kesh, plus 10 milionë euro të tjera në formë bonusi, shifra këto që joshin jo pak drejtuesit e klubit bergamask, që sezonet e fundit jo vetëm ka arritur rezultate mjaft të mira, por në të njëjtën kohë është pasuruar me shitjen e elementëve më të spikatur si Bastoni, Kulusevski, Diallo, etj./SS

Leave a Reply