Statuja e Fadil Vokrrit drejt përfundimit

0
442

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar artistin llapjan Agron Blakçori, i cili është duke e skulpturuar statujën e Fadil Vokrrit.

Ministrja Dumoshi tha se sot ka qëndruar në Llap për një arsye të veçantë, e cila konfirmoi se statuja e Fadil Vokrrit është në përfundim. “Më mrekulloi deri në emocion mjeshtëria dhe reflektimi i Fadilit, të cilin shpejt do ta kemi në bronz”, paralajmëroi ministrja.

Ministrja Dumoshi ka bërë të ditur se faza e modelimit veçse ka përfunduar. Shumë shpejt do të përfundojë faza e gipsit dhe puna do të kurorëzohet me derdhjen në bronz të statujës së Fadil Vokrrit, e cila do të ketë një vijë vertikale 3.5 metra.

“Shpirtin e Fadilit vërtetë nuk e pasqyron asnjë statujë sepse madhështia e tij dominon secilën skalitje. Sidoqoftë, vetëm kështu do ta ruajmë të përjetshëm kujtimin për të, të përjetësuar për vendin ku ai dha gjithë dijen, potencialin e energjinë”, deklaroi ministrja Dumoshi me rastin e inspektimit të fazës së punimit të statujës së Vokrrit.

Ministrja shfrytëzoi rasti edhe për ta falënderuar për punën, skulptorin llapjan Agron Blakçori, i cili me angazhimin e tij të pareshtur po e punon denjësisht statujën e legjendës Fadil Vokrri.

“Reflektimi i Fadilit të skalitur, do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja të sportistëve të cilët falë punës e përkushtimit të tij, sot prekin majat e sukseseve sportive nëpër botë”, dha si mesazh ministrja. 

Leave a Reply