Serie A dhe La Liga rikthehen me sfida interesante

0
392

Milani dhe Interi vijojnë prej javësh të udhëheqin renditjen e kampionatit Italian, me kuqezinjtë që aktualisht kanë tre pikë më shumë se zikaltrit, ndërsa sot do të luajnë të dyja në të njëjtën orë për të shpallur edhe kampionin e dimrit.

Kështu kuqezinjtë e Stefano Piolit do të presin Atalantën në “San Siro”, në një sfidë vërtetë të vështirë, që komplikohet edhe nga mungesat në kampin kuqezi, megjithatë ka pasur edhe rikthime si Rebiç, Theo Hernandez e Leao, që kompletojnë disi organikën.

Nga ana tjetër Atalanta vjen pas dy barazimeve radhazi, që e kanë lënë disi mbrapa në renditje dhe sot do të kërkojë rikthimin te suksesi, për të arritur në zonën Champions të renditjes, që është edhe objektivi i zikaltërve.

Po në orën 18:00, Interi do të luajë në transfertën friuliane ndaj Udineses, ku do të kërkojë t’i japë vazhdimësi suksesit bindës ndaj Juventusit, këtë herë përballë një tjetër skuadre me fanellën bardhezi.

Antonio Conte ka në dispozicion të gjithë futbollistët dhe do të mund të aktivizojë më të mirët përballë një kundërshtari shumë të fortë fizikisht dhe që zbret shpejt në kundërsulm.

Vlen të theksohet se Udinese e Atalanta u përballën me njëra-tjetrën të mërkurën në mbrëmje në një ndeshje të prapambetur në Friuli, ndaj skuadrat milaneze janë disi më të favorizuara në aspektin fizik, pasi ishin pushim në mesjavë.

Ndërkohë më herët, në orën 15:00 Roma do të përballet sërish me Spezian, këtë herë në sfidën e vlefshme për kampionatin Italian, aty ku verdhekuqtë e Paulo Fonsecës nuk fitojnë prej dy javësh.

Të martën në mbrëmje dy skuadrat u përballën për Kupën e Italisë dhe Spezia triumfoi 2-4 pas luajtjes së 90+30 minutave në fushë, por më pas mori suksesin 0-3 në tavolinë, duke qenë se verdhekuqtë kryen një zëvendësim më tepër.

Në mbrëmje kampionati italian do të vijë me ndeshjen Fiorentina-Crotone, një shans mjaft i mirë për klubin vjollcë, që të rikthehet te fitorja dhe të provojë t’i largohet zonës së ftohtë të renditjes.

Nuk do të mungojnë as emocionet e kampionatit spanjoll, që do të startojnë në orën 16:15 me përballjen Sevilla-Cadiz, ndërsa në mbrëmje vëmendja do të jetë te sfida Alaves-Real Madrid. 

Leave a Reply