Roma e Napoli punojnë për shkëmbimin e Arkadiuz Milik – Cengiz Under

0
481

Roma dhe Napoli kanë nisur bisedimet dhe janë shumë pranë konkretizimit të një shkëmbimi mjaft interesant, që parashikon kalimin e Arkadiuz Milik te verdhekuqtë nga kryeqyteti dhe të Cengiz Under nën urdhrat e Genaro Gattusos.

Sulmuesi polak ka edhe një vit kontratë me Napolin, por deri tani ka refuzuar të gjitha ofertat për rinovim, ndaj drejtuesit e klubit kanë vendosur ta shesin për të mos e humbur me parametra zero verën e ardhshme.

Nga ana tjetër, fantazisti turk Cengiz Under, pas një fillimi mjaft të mirë, humbi vendin e titullarit dhe tani nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Paulo Fonseca, ndaj edhe verdhekuqtë duan ta largojnë për të përmirësuar bilancin ekonomik.

Për kartonin e Milik presidenti De Laurentiis shpreson të arkëtojë rreth 40 milionë euro, ndërsa oferta e Romës ka qenë pikërisht kartoni i Under dhe një shifër prej 15 milionë eurosh, ndërsa paraprakisht duket se klubet janë dakord.

Kjo sepse Gattuso është në kërkim të një futbollisti që të luajë në të majtë të sulmit dhe të zëvendësojë spanjollin Callejon, ndërsa Roma kërkon një emër të ri në majën e sulmit, pasi kapiteni Edin Dzeko mund të largohet këtë verë.

Leave a Reply