Portugali-Kroaci dhe Suedi-Francë, duele të “zjarrta” në Nations League!

0
465

Ditën e shtunë plotësohen ndeshjet e para të fazës së grupeve, përsa i përket ndeshjeve kualifikuese të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve dhe radhën për të zbritur në fushë do ta kenë pikërisht kampionët në fuqi të UEFA Nations League.

Portugalia do të përballet me Kroacinë në një ndër sfidat më interesante të Divizionit Kryesor, me këto dy skuadra përfaqësuese që janë pjesë e një grupi të hekurt, sic është në fakt grupi i tretë, ku janë shortuar gjithashtu edhe Franca me Suedinë.

Një “grup ferri”, ku marrin pjesë pra kampionët në fuqi të Ligës së kombeve, kampionët në fuqi të botës, nënkampionët e botërorit të fundit si dhe një ekip kombëtar si ai i Suedisë, që renditet në vendin e 17, në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Ndeshja do të zhvillohet në orën 20:45 në Stadiumin Dragao të Qytetit të Portos, pikërisht në impiantin ku 9 qershorin e vitit të kaluar përfaqësuesja luzitane u kurorëzua me titullin e parë në këtë kompeticion të ri, teksa mundi në finale kombëtaren holandeze. Do të jetë gjithsesi një takim i pazakontë, pasi veterani Fernando Santos nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Cristiano Ronaldo, që është njëkohësisht edhe lojtari me më shumë ndeshje në përfaqësuesen portugeze 164, si dhe futbollisti që ka shënuar më tepër me fanellën e kombëtares luzitane 99.

Ndërkohë në krahun tjetër Kroacia është në një fazë ndryshimesh, sidomos në fazën sulmuese dhe mbetet për t’u parë se cilët futbollistë do të preferojë përpara trajneri Zlatko Dalic. Mediat portugeze kanë raportuar një infeksion në këmbë të Kristianos, kështuqë detyra për të tërhequr skuadrën i mbetet yllit tjetër, Joao Felix. Ndonëse te Manchester United po shkëlqen me Portugalinë 25-vjecari Bruno Fernandes numëron vetëm 19 ndeshje gjithsej, sidoqoftë këtë herë pritet që 65-vjecari Fernando Santos t’i japë celësat e repartit të mesfushës.

Në klasifikimin e FIFA-s Kroacia pozicionohet në vendin e gjashtë, ndërsa Portugalia e shtata, sidoqoftë trajneri Zlatko Dalic nuk do të ketë të gatshëm dyshen Modric – Rakitic, kështuqë do të duhet të marrin përsipër dicka më shumë edhe futbollistë të tillë si Marcelo Brozovic dhe Mateo Kovacic. Kroacia dhe Portugalia u kualifikuan njëra pas tjetrës respektivisht më datat 16 dhe 17 nëntor, për në fazën finale të evropianit të ardhshëm. Kroatët fituan Grupin E në fazën eliminatore, ndërsa portugezët pa shumë shkëlqim siguruan vendin e dytë në Grupin B, me tre pikë më pak se Ukraina e Andriy Shevchenko-s. Natyrisht “vatreni” do të duan të bëjnë një figurë shumë më të mirë se sa në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, ku kroatët e mbyllën aventurën e tyre në vendin e fundit, pas përfaqësueseve të Anglisë dhe Spanjës, gjithsesi bilanci e kanë krejtësisht kundër, pasi Portugalia nuk ka humbur asnjë nga pesë përballjet e mëparshme ndërmjet tyre.

Kombëtarja luzitane ka fituar 4 nga 5 sfidat mes tyre, sidoqoftë të vetmin rezultat pozitiv Kroacia e ka regjistruar në përballjen e tyre të fundit, më 6 shtator të vitit 2018 në Algarve, ku testi miqësor u fiksua në shifrat 1-1 që në pjesën e parë të takimit.

Po në orën 20:45 me shumë interes në këtë grup pritet gjithashtu edhe prova e kampionëve në fuqi të botës. “Blutë” pozicionohen të dytët në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, me vetëm 32 pikë më pak se sa Belgjika dhe ekipi i drejtuar nga trajneri Didier Deschamps do të vizitojë Suedinë, pikërisht në kryeqytet në Friends Arena. Mesfushori i “djajve të kuq” Paul Pogba nuk u grumbullua fare, pasi rezultoi pozitiv me virusin COVID-19, dhe të njëjtin fat pësuan gjithashtu edhe mesfushori me origjinë algjeriane, 22-vjecari Houssem Aouar, që u thirr për herë të parë në përfaqësuese, bashkë me portierin veteran Steve Mandanda, por gjithsesi në gjirin e skuadrës tashmë bën pjesë edhe sulmuesi i United Anthony Martial, që u rikthye pas formës së tij të mirë me “red devils” si dhe një mungese vërtet të gjatë në përfaqësuese. Te verdheblutë do të mungojë veterani Andreas Granqvist, kështuqë në qendër të mbrojtjes Victor Lindelof pritet të ketë 27-vjecarin e Rangers-it Filip Helander ose shtatlartin e Brentford-it Pontus Jansson. Në edicionin hapës të UEFA Nations League në Divizionin Elitar në grupin e Parë Franca u klasifikua e dyta, ndonëse në kuotë të barabartë pikësh me portokallinjtë e Holandës, ndërsa në Kategorinë e Dytë të Ligës së Kombeve, në Grupin e Dytë verdheblutë ia dolën mbanë për të zënë vendin e parë, duke lënë prapa Rusinë dhe Turqinë, për t’u ngjitur kështu në nivelin më të lartë të futbollit evropian, në rang përfaqësuesesh.

Ashtu si Portugalia me Kroacinë edhe Franca me Suedinë u kualifikuan njëra pas tjetrës për në aktivitetin më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër, respektivisht më datat 14 dhe 15 nëntor. Blutë fituan Grupin H, ndërsa skuadra skandinave u pozicionua në vendin e dytë në Grupin F, pas Spanjës, sidoqoftë disfata me “la roja”-n është e vetmja për ekipin e drejtuar nga trajneri Janne Andersson në 13 sfidat e fundit, pa harruar gjithashtu edhe barazimin 1-1 tetorin e vitit të kaluar pikërisht me Spanjën në Stockholm. Pas humbjes me Turqinë Franca ka fituar 6 nga 7 sfidat e fundit, por për hir të së vërtetës grupi i kampionëve në fuqi të botës ishte vërtet shumë i lehtë. Blutë kryesojnë bilancin e përgjithshëm 10 me 6, në 21 ndeshjet e zhvilluara, ndërkohë këto dy përfaqësuese janë përballur për herë të fundit në fazën kualifikuese të botërorit rus dhe dy skuadrat respektuan faktorin fushë duke fituar 2-1, në Paris dhe Stockholm.

Belgjika vazhdon të kryesojë renditjen e përgjithshme të FIFA-s dhe pavarësisht mungesës së De Bruyne-s dhe 31-vjetëve pa fitore në përballjet ndërmjet tyre, “djajtë e kuq” janë dukshëm favoritë për të triumfuar në orën 20:45 në Stadiumin Parken të Kopenhagenit, ndaj Danimarkës. Të dy ekipet janë kualifikuar për në evropianin e ardhshëm dhe madje janë shortuar në Grupin B, bashkë me Rusinë dhe Finlandën. Në Grupin e Dytë të edicionit të sivjetshëm të Ligës së Kombeve bëjnë pjesë gjithashtu edhe Islanda me Anglinë, që do të masin forcat ndërmjet tyre në orën 18:00 në Reykjavik dhe përfaqësuesja e “tre luanëve” do të bëj cmos për të marrë hak për atë eliminim të turpshëm në evropianin e fundit, ku ekipi anglez nën drejtimin e veteranit Roy Hodgson u largua me turp pas humbjes 2-1 që pësoi në qytetin e Nisës./SS

Leave a Reply