Ponte Prizreni, megjithatë, do të luajë në BIBL

0
484

Pas mospërfshirjes në Ligën e Përbashkët të basketbollit mes Kosovës e Shqipërisë, skuadra e Superligës kosovare, Ponte Prizreni, ka vendosur që edicionin 2020/21 të paraqitet për të garuar në Ligën Ballkanike (BIBL).

Pjesëmarrjen në këtë ligë rajonale e ka konfirmuar trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, duke shtuar se të gjitha detajet do të bëhen të ditura në fillim të muajit tjetër, kur edhe ekipi do të aplikojë për të qenë pjesë e BIBL-së në edicionin e ri.

Në të vërtetë, Ponte Prizreni ka marrë vendim për të luajtur në BIBL për t’u mos u limituar vetëm në garat kampionale të Kosovës, ku edicioni i ri është paraparë të startojë më 23 shtator.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) javë më parë ka përzgjedhur katër skuadrat nga Kosova që do të marrin pjesë në Ligën e Përbashkët me Shqipërinë, që do të jetësohet në sezonin e ri. Sigal Prishtina, Peja, Rahoveci e Golden Eagle Ylli janë ekipet që edicionin e ri do të luajnë në Ligën e Përbashkët, që ka për synim edhe kompensimin e mospjesëmarrjes së ekipeve nga Kosova në kupat evropiane – Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup. Madje, drejtues të FBK-së kishin thënë se nuk kanë interes për pjesëmarrje në BIBL, ku ekipet kosovare garojnë prej vitit 2013. FBK-ja kishte thënë se skuadrave nuk ua mohon pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike, ndonëse ajo cilësohej se i takon së kaluarës.

“Do të marrim pjesë në BIBL për të pasur më shumë ndeshje në edicionin e ri, dhe të mos limitohemi vetëm në Superligë pasi nuk do të luajmë në Ligën e Përbashkët. Mirëpo, gjithçka do ta bëjmë zyrtare në fillim të muajit të ardhshëm”, ka thënë shkurt trajneri Rifati.

FBK-ja më herët ka njoftuar se asnjë ekip kosovar në sezonin 2020/21 nuk do të luajë në kupat evropiane derisa ka pranuar se për BIBL është e hapur mundësia, ndonëse fokusi mbetet te Liga e Përbashkët. Edicioni 2019/20 në Kosovë ishte anuluar për shkak të përhapjes së koronavirusit, pa u shpallur kampioni./KOHA

Ponte Prizreni, megjithatë, do të luajë në BIBL

Leave a Reply