Perla e Messit nuk i mjafton Argjentinës, Kili e ndal në barazim!

0
241

Magjia e Lionel Messit nuk i mjafton Argjentinës. Copa America 2021 nisi me barazim për La Selecion të cilët nuk shkuan më shumë se shifrat 1-1 në supersfidën e grupit A ndaj Kilit në Rio De Janeiro, një rezultat i njëjtë me atë të pak ditëve më parë në eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Lionel Scaloni e nisi ndeshjen me 3-shen Nico Gonzales-Lautaro Martinez-Lionel Messi përpara ndërkohë që trajneri uruguian i Kilit Lasarte i privuar nga Alexis Sanchez por me Arturo Vidal që u rikuperua në kohë rekord ia besoi majën e sulmit Edoardo Vargasit. Rastin e parë të vërtetë në këtë sfidë e kishte Argjentina në minutën e 16-të por goditja e Nico Gonzales pas pasimit mjeshtëror që mori me takë nga Lo Celso mori kundërpërgjigjen e kapitenit të La Rojas Claudio Bravo i cili e devijoi topin në këndore. Argjentina vazhdon të sulmojë dhe e frymëzuar edhe nga pasimet gjeniale të Lo Celsos, 2 minuta më vonë kishte një tjetër mundësi të artë me mesfushorin e Tottenham që nxorri të lirë para porte sërish Nico Gonzales por Claudio Bravo doli sërish fitimtar në duelin me sulmuesin e Shtuttgart. Gjithsesi goli i kombëtares albiceleste, vonoi por nuk mungoi.

Në të 33-ën Messi shpiku një tjetër perlë nga repertori i tij dhe këtë herë Bravo edhe pse u zgjat shumë nuk mundi të evitonte golin e Messit nga goditja standarte. 1-0 për Argjentinën që u duk sikur kishte kontrollin e ndeshjes edhe në pjesën e dytë, por në minutën e 56-të, Kili me ndihmën edhe të sistemit VAR fitoi një 11-metërsh për një ndërhyrje të gabuar ndaj Arturo Vidal brenda zone. Penalltinë e mori përsipër mesfushori i Interit goditja e të cilët u ndal nga Martinez dhe traversa, por Edu Vargas u tregua shumë i shkathët dhe me kokë dërgoi në rrjetë topin e mbetur vakant brenda zone.

Rezultati 1-1 nuk demoralizoi aspak Argjentinën që u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të fitores. Fillimisht Bravo ndali një tentativë të Messit me të majtën ndërkohë që 11 minuta para fundit të kohës së rregullt, kapiteni i serviri një asist perfekt Nico Gonzales-it i cili i harruar në zonë nga mbrojtja e Kilit e çoi topin mbi traversë nga shumë pranë. Në fund një barazim 1-1 që kënaqi më tepër skuadrën e Lisartes. Në krye të grupit A pas raundit të parë të ndeshjeve është Paraguai që mposhti në ndeshjen tjetër 3-1 me përmbysje Bolivinë që për një pjesë loje luajti me një lojtar më pak. Saavedra pas 10 minutash lojë zhbllokoi shifrat duke kaluar në epërsi bolivianët me një 1-metërsh, por dalja me karton të kuq e Cuellar në minutat shtesë të pjesës së parë ia bëri më të thjeshta gjërat Paraguait, që përmbysi shifrat falë golave të Kaku dhe dy finalizimeve të Angel Romeros./SS

Leave a Reply