Neymar, gati të heqë dorë nga paratë për t’u kthyer te Barça

0
557

Një ulje drastike e pagës vetëm për t’u kthyer te Barcelona. Kjo është ajo po merr në konsideratë Neymar Junior (sipas “El Mundo Deportivos”).

Një zgjedhje shumë e ndërlikuar, sepse nga njëra anë është PSG, që i garanton mbi 50 milionë euro në sezon, mes pagës dhe bonuseve, nga ana tjetër ekipi “blaugrana”, ku zemra e tij kërkon të kthehet, që nuk mund t’i ofrojë atij më shumë sesa përfitonte para lamtumirës, ​afërsisht pak më shumë se 20 milionë euro.

Siç thekson gazeta katalane, Neymar do të përfundojë vitin e tij të tretë të kontratës (nga pesë) me klubin parizien dhe së shpejti do të përballet me një dilemë.

PSG-ja është e gatshme t’i ofrojë rinovimin me pagë 38 milionë euro në vit, plus bonuset (si imazhi i Bankës Kombëtare të Katarit), me të ardhurat vjetorë të projektuara mbi 50 milionë euro. Barça, nga ana tjetër, do t’i garantonte atij një projekt teknik, sipas dëshirës së tij, dhe në Katalunjë do të gjente miq si Messi e Piqué, të cilët po bëjnë presion shumë për kthimin e tij.

Nëse Neymar do të kthehet, do të duhet të ndodhë këtë verë. Në fakt, në vitin 2021 do të ketë zgjedhje presidenciale dhe Bartomeu do të donte që blerjen e lojtarit brazilian ta shfrytëzonte për të rritur kuotat e tij.

Përveç kësaj, kandidatë të tjerë për president, si Victor Font, kanë thënë tashmë se janë kundër kthimit të tij. Nëse Neymar dëshiron të ndjekë ëndrrën e tij për t’u kthyer me ngjyrat “blaugrana”, atëherë, ai do të duhet të marrë një vendim së shpejti.

Kriza ekonomike e diktuar nga pandemia e Covid-19 nuk do të lejojë që Barcelona të kalojë në aventurë dhe O’Ney do të duhet të jetë gati për të hequr dorë nga një shumë e konsiderueshme e pagës së tij.

Leave a Reply