Motokrosi, sporti që i jep adrenalinë të papërshkrueshme të riut nga Grejkoci i Suharekës

0
432

Arbenit Beqiraj është vetëm 21 vjeç dhe ai pasion të vet e ka motokrosin. Është nga fshati Grejkoc i Komunës së Therandës dhe hobin e tij e ka filluar që në adoleshencë të herëshme. Në një bisedë me Arbenitin ai pohon se këtë pasion e ka si një dhuratë nga babai i tij, i cili ka vdekur në moshë të re para ca vitesh, ndërsa flet më emocion për të.

“Babi im ishte një adhurues i flakët i motoçikletës, ndërkohë që kushtet e kohës nuk ishin të tilla që ai të merrej në mënyrë intensive me këtë sport. Megjithatë ai është personi i parë që më kanalizoi pasionin për këtë sport. Ai kishte një motoçikletë të thjeshtë dhe gjithnjë si i vogël që isha, me merrte më vete në bjeshkët e Sharrit duke sfiduar edhe terrene të vështira për të qenë sa më afër natyrës dhe sa më shumë brenda magjisë së saj”, pohon Arbenitit.

Duke folur me emocione që e përshkonin edhe dhimbjet për babain e tij, ai shprehet se “sukseset e mia të deritashme dhe të ardhëshme ia dedikoj atij dhe vetem atij sepse ai mbolli këtë dashuri të pashlyeshme në shpirtin tim”, shprehet Arbenit Beqiraj.

Po cilat janë sukseset e Arbenitit sot?

Motokrossi është një sport që të jep adrenalinë të papërshkrueshme, sport që të lidhë me natyren e cila na jep qetësinë brenda shpirtit të emocionuar deri sa sfidon shtigje të rrezikshme dhe kur ia del ndjenë përkëdheljen melankolike të kësaj natyre. Ajo të bënë me vete, ndërsa “bisha” të qëndron pranë dhe të provokon për të arritë majat më të thepisuara të maleve shqiptare gjithandej trojeve shqiptare.

Arbeniti është anëtar i klubit “Motocross Theranda” dhe deri më tash ka pasur shumë suksese në këtë sport. Ai është kampion i Kosovës në garën e motokrossit në kategorinë hobi, duke marrë vendin e parë në tri gara të organizuara nga Federata e Motociklizmit të Kosovës.

Aktualisht Arbeniti garon në nivelin profesional, ndërsa për kundër pengesave familjare ai është paisur edhe me motocikletë profesionale dhe vazhdon aventurën e tij të dashur që siç shprehet ai të shton knaqësinë.

“Sporti i motocrossit është një sport që sjellë edhe rreziqe. Kjo nuk është shumë e këndëshme për familjen sepse ata kanë frikë për jeten time. Megjithate pasioni im dhe dashuria e madhe për këtë sport ka sfiduar edhe frikën familjare, aq më tepër se kur ngjitem zikzakeve të majave të Sharrit dhe majave të bjeshkëve shqiptare, e ndjej hijen e babait tim, më përcjell dashuria e babait mbrapa,për këtë sport, e mbi të gjitha ajo këshilla e tij që fillova ta marr nga ai, që nga mosha 10 vjeçare. Thjesht ai ishte mbreti im i motocrossit ,idoli im dhe kampioni im ndërsa dashuria e tij ndaj meje më është kthyer në dashuri ndaj këtij sporti”, pohon Arbeniti.

Tutje ai ka treguar se me shokë nga klubi,”Motocross Theranda” ka shkelur edhe dhijaret më të larta të maleve në Kosovë dhe vazhdon të sfidon ato që rrallë kush ka arritur që t’i arrijë duke shkelur shkrepat më të larta të maleve në Shqipëri e Mal të Zi që të tjerët ëndërr i kanë. Ai më këtë rast veçon ndihmën e pakursyer të motoristit më të spikatur të këtij klubi, i cili ishte mbështetës i fuqishëm në sukseset e tij, e për të cilin tha se është udhërrëfyes i tij në këtë sport në kohën e sotme, Valon Zeqiraj.

Valon Zeqiraj (majtas) dhe Arbenit Beqiraj (djathtas)
Për këtë ai ka fjalët më të mira dhe falenderimet substanciale. Krahas tij, ai vlerëson edhe klubin “Motocross Theranda” për të cilin thotë se ka gjetur një familje të këndëshme.

“Brenda klubit, me shokë dhe organizatorë të përkryer, klub ky që konsiderohet më i miri në Kosovë. Magjia e të bukurës të mbështjell aq mirë sa që frika zhduket në mjegullnajat që lëmë poshtë për të ndjerë rrezatimin e diellit atje lartë ku rrallë prekin retë”, shprehet me pasion ky djalosh i ri.

Ambicjet e tij tejkalojnë dimensionin nacional të këtij sporti, për të dalë mbi këtë dimension dhe për të përfaqësuar Kosoven në garat ndërkombëtare, shprehet në fund të bisedës Arbenit Beqiraj nga klubi “Motocross Theranda” nga Theranda.

Leave a Reply