Milani akord me Ibrën për rinovimin

0
509

Zlatan Ibrahimovic do të vijojë karrierën e tij te Milani, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm. Këtë e konfirmojnë me bindje mediat italiane, sipas të cilave drejtuesit e klubit kuqezi janë shumë pranë marrëveshjes për rinovimin.

Mes palëve ka një akord paraprak dhe në ditët në vijim pritet një takim mes drejtuesve kuqezi dhe menaxherit të Ibrës, Mino Raiola, ku edhe pritet të zyrtarizohet rinovimi i kontratës me të njëjtat terma ekonomikë si kjo e 6 muajve të fundit.

Sulmuesi suedez bindi të gjithë me paraqitjet e tij te Milani në gjysmën e dytë të sezonit, ku ka luajtur 20 ndeshje dhe ka shënuar 11 gola, duke u shndërruar në një pikë orientimi për formacionin e Stefano Piolit.

Ndërkohë, paralelisht me rinovimin e Ibrës, drejtuesit e Milanit po punojnë për të rikthyer në Milano edhe mesfushorin francez të Chelseat, Tiemoue Bakayoko. Ky i fundit ishte pjesë e kuqezinjve në sezonin 2018-2019, i huazuar nga londinezët, dhe bëri një paraqitje mjaft të mirë, por drejtuesit e Milanit vendosën të mos ushtrojnë të drejtën e blerjes.

Megjithatë Bakayoko ka pranuar të ulë pagën e tij për t’u transferuar te Milani dhe tani drejtuesit e klubit po negociojnë me Chelsean për shifrën e kartonit, për të bërë të mundur veshjen sërish me fanellën kuqezi të francezit.

Leave a Reply