Messi thyen rekordin e Pele, fitojnë Argjentina dhe Brazili!

0
306

Argjentina dhe Brazili u rikthyen në aksion në orët e para të ditës së premte pas skenave të turpshme që prodhuan mes tyre, për raundin e 9 të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022 në grupin e Amerikës së Jugut.

Fitore të lehta për dy kombëtaret që bëjnë ligjin në Amerikën Latine. Vëmendjen më të madhe e mori sfida mes Argjentinës dhe Bolivisë, ndeshje që u fitua 3-0 nga La Selecion, me Lionel Messin që realizoi një tregolësh. Falë kësaj triplete ylli argjentinas theu rekordin e legjendës braziliane Pele duke u bërë futbollisti që ka shënuar më shumë në kontinent në rang kombëtaresh me Messin që kapi kuotën e 79 golave me Argjentinën ndërsa Pele me Brazilin është ndalur në kuotën e 77 finalizimeve, i treti për momentin është Neymar që ka shënuar 69 gola me Seleçaon. Në praninë e 25 mijë shikuesve në Buenos Aires në Estadio Antonio Vespucio Liberti i hapur për herë të parë për tifozët që pas fillimit të pandemisë COVID-19, Messi shënoi një gol në pjesën e parë dhe dy të tjerë në pjesën e dytë ndërkohë që në fraksionin e parë Argjentinës iu anulua edhe një gol i shënuar nga Lautaro Martinez.

Me këtë fitore La Selecion ruajti vendin e dytë në grupin e Amerikës së Jugut me 18 pikë, 3 më shumë se Uruguai i vendit të 3-të. Me dy gola në pjesën e parë nga Everton Ribeiro dhe Neymar, Brazili bëri detyrën përballë Perusë duke triumfuar 2-0 dhe duke vijuar ecurinë perfekte në këto eliminatore me 8 fitore në 8 takime. Të thjeshtë e pati edhe Kolumbia përballë Kilit me Los Cafeteros që fituan me shifrat 3-1. Në pjesën e parë kolumbianët realizuan dy herë me sulmuesin e Gremios Miguel Borja. Kili u përpoq të rikthehej në ndeshje në fraksionin e dytë me golin e Menezes në minutën e 56-të por Luis Diaz mbylli llogaritë e takimit me një tjetër gol për vendasit çerek-ore para fundit. Një gol në minutën e 92-të i Gaston Pereiros dha një fitore të çmuar Uruguait në sfidën direkte për vendin e 3-të ndaj Ekuadorit, ndërkohë që Paraguai triumfoi me shifrat 2-1 ndaj Venezuelës për të kompeltuar “manitën” e fitoreve të skuadrave vendase./SS

Leave a Reply