Ky është diskriminim: Sfidat e të qenit sportist nga Kosova

0
363

Shumë sportistë kosovarë janë me famë botërore dhe fitojnë gara ndërkombëtare, por politikat e disa vendeve i pengojë ata të marrin pjesë në gara.

Boksieri amator kosovar, 19-vjeçari, Bashkim Bajoku, ka fituar pesë gara kombëtare boksi në Kosovë dhe dy në Shqipëri. Majin e kaluar ai fitoi në Zagreb edhe titullin e Kampionit Ballkanik të Boksit në kategorinë 52 kilogramë.

Por asnjë nga këto arritje nuk kishte rëndësi kur ai u përpoq të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në fund të tetorit. Rëndësi kishte vetëm që ai vjen nga Kosova.

Bajoku ishte një nga boksierët e shumtë kosovarë që i kthyen mbrapsht në kufirin serb për shkak se mbanin simbolet kombëtare në uniformat e tyre, gjë që i pengoi ata të konkurronin në këtë eveniment.

“Kjo është e padrejtë”, tha për DW kampioni ballkanik i boksit. “Si sportistë jemi shumë të zhgënjyer, sepse u stërvitëm shumë dhe kjo bllokadë ndikoi negativisht në pjesëmarrjen tonë të mundshme në Lojërat Olimpike të vitit 2024”.

Kjo nuk ishte hera e parë që sportistët kosovarë pengohen për shkak të origjinës.

Rregullat e institucioneve sportive ndërkombëtare përballë atyre kombëtare

Kosova e shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, por sovraniteti i Kosovës njihet vetëm nga pak më shumë se 50% e shteteve anëtare të OKB-së. Ndër shtetet që nuk e njohin Kosovën si shtet janë Serbia, Rusia dhe Kina.

Institucionet ndërkombëtare të sportit si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar apo FIFA, e njohin Kosovën si anëtare të plotë. Por për shkak se ngjarjet ndërkombëtare sportive ndonjëherë organizohen nga vende që nuk e njohin Kosovën, marrëdhëniet diplomatike mund t’u shkaktojnë probleme atletëve nga vendi që konkurrojnë.

Rregulloret e udhëtimit të vendeve që nuk e njohin Kosovën shpesh bien ndesh me rregullat e institucioneve ndërkombëtare sportive. Organet drejtuese të sportit pohojnë se u garantojnë të gjithë anëtarëve pjesëmarrje të drejtë dhe të barabartë në çdo ngjarje, por nëse atletët nga Kosova duan të përfaqësojnë vendin e tyre në garat e organizuara në vendet që nuk e njohin, ata shpesh hasin vështirësi.

“Kur na bllokojnë si sportistë, ne humbasim mundësitë e mëdha për të zhvilluar karrierën tonë ndërkombëtarisht”, thotë Bajoku. “Kjo është shumë zhgënjyese, por ne nuk do të dorëzohemi kurrë”.

‘Ky është diskriminim’

Përvoja që Bajoku dhe boksierët e tjerë kosovarë patën në kufirin serb në tetor nuk është e pazakontë. Redona Gashi, karateiste 18-vjeçare, ka përjetuar diçka të ngjashme në fillim të këtij viti, kur ekipi i saj dëshironte të merrte pjesë në një garë në Qipro, gjithashtu një vend që nuk e njeh Kosovën.

Qiproja u dha Gashit dhe shokëve të saj viza për të marrë pjesë në konkurs, megjithatë ata nuk arritën kurrë në Qipro, sepse Greqia, një vend nëpër të cilin duhej të udhëtonin, ua ndaloi hyrjen.

“Ne kemi pasur shumë probleme. Ne gjithmonë kemi probleme politike, por sigurisht që ka vështirësi edhe për marrjen e vizave,” tha Gashi për DW. “Ky është diskriminim ndaj nesh.”

Politika e vendeve që nuk e njohin Kosovën është jokonsistente. Spanja, për shembull, i lejon atletët nga Kosova të marrin pjesë në garat sportive vetëm nëse nuk shfaqin simbolet e tyre kombëtare.

Vendet e tjera si India nuk i lejojnë fare të marrin pjesë duke refuzuar t’u japin viza sportistëve kosovarë. Kështu ka ndodhur me Donjeta Sadikun, boksieren kosovare, e cila në vitin 2018 do të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit për Femra në Indi, por nuk iu dha viza.

Jo vetëm që kjo lloj gjëje është zhgënjyese për atletët dhe ka efekte negative në zhvillimin e tyre sportiv, por gjithashtu ka një ndikim negativ financiar.

Zë për mundësi të barabarta

Në rastin e Bajokut dhe të boksierëve kosovarë, vendi u ankua në AIBA, organi drejtues botëror i boksit. AIBA u përpoq të bënte një kompromis që do t’i lejonte ekipit kosovar të garonte pa treguar simbolet kombëtare. Por kjo zgjidhje ishte e papranueshme për Kosovën. Vetë presidentja, Vjosa Osmani, u shpreh se refuzon t’i pranojë këto kushte.

AIBA lëshoi një deklaratë pas incidentit në të cilën u kërkoi përsëri vendeve anëtare të respektojnë rregulloret e trupës, duke thënë se sportet duhet të ndihmojnë në thyerjen e barrierave. Kërkesa e DW për koment nga zyrtarët serbë dhe institucionet e tyre sportive për këtë çështje deri tani kanë mbetur pa përgjigje.

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Aliti, tha për DW se nuk mund të bëjë më shumë se sa të protestojë dhe të ngrejë çështjen e këtij trajtimi të padrejtë.

“Para së gjithash është e rëndësishme të reagohet dhe është e rëndësishme të ngrihet zëri për mundësi të barabarta”, tha Aliti. “Për KOK-un, çelësi është distancimi nga politika, sepse ne nuk jemi këtu për të gjetur marrëdhënie dypalëshe mes dy vendeve. Për ne është e rëndësishme të mbrojmë të drejtat e sportistëve.” /DW/

Leave a Reply