Kosova e Shqipëria themelojnë Ligën Unike në basketboll

0
442

Ditë historike për basketbollin dhe sportin e Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo për faktin se sonte në Tiranë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për themelimin e Ligës Unike të Basketbollit Shqipëri-Kosovë, bën të ditur MKRS-ja përmes faqes zyrtare.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetarët e federatave përkatëse të basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, Arben Fetahu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, përkatësisht Avni Ponari, kryetar i Federatës Shqiptare të Basketbollit.

“Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë personalitete të rëndësishme të politikës e të sportit të të dyja vendeve. Marrëveshja u nënshkrua në praninë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Vlora Dumoshi, Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Besa Shahini, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Valdete Bajrami dhe Kryetarit të FIBA Europe, Turgay Demirel”, thuhet në njoftim.

Liga Unike në basketboll është i pari sport në mes dy vendeve që krijon një ligë të përbashkët të kësaj natyre. Kjo ligë ka për qëllim realizimin e idesë së kahmotshme për zhvillimin e aktiviteteve garuese të klubeve të të dyjave vendeve. Kalendari garues i kësaj lige do të zhvillohet krahas ligave kombëtare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij, ndër të tjera, u shpreh se nisma të këtilla janë të mirëseardhura dhe kanë përkrahjen e tij. Kjo ligë ka qenë dëshirë e kahmotshme dhe idetë marrin kohën e duhur që të ndodhin dhe ky fakt po ndodh.

Rama foli edhe për bashkëpunimet tjera Shqipëri-Kosovë por kjo ligë përmes aktiviteteve konkrete shkon edhe një hap përtej, dhe kjo ligë do të jetë shtysë edhe për shumë nisma tjera. Kjo ligë do të ngreh nivelin e konkurrencës dhe do të krijojë hapësirë për të pasur më shumë cilësi në ndeshjet në parket.

Ilir Trebicka, kryetari i sapozgjedhur i Ligës Unike, tha se është një iniciativë e veçantë për të dyja vendet dhe i falënderoj të dyja qeveritë për njohjen e kësaj nisme. Është një ligë e veçantë për mbarë kombin shqiptar./Koha

Leave a Reply