Koeman zyrtarizohet në pankinën e Barcelonës

0
468

Pritej vetëm zyrtarizimi, i cili erdhi gjatë paradites së sotme dhe Ronald Koeman është tashmë trajneri i ri i Barcelonës. Holandezi 57-vjeçar kishte arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit që gjatë javës së kaluar, por mori pak kohë për të prishur kontratën që e mbante të lidhur me kombëtaren e Holandës.

Mbrëmjen e djeshme Koeman u rikthye në Katalunjë dhe hodhi firmën mbi kontratë, ndërsa klubi “blaugrana” njoftoi sot edhe zyrtarisht emërimin e tij si trajner i skuadrës, ku zë vendin e Quique Setien, i shkarkuar pas humbjes së turpshme 8-2 ndaj Bayernit të Mynihut, në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

Për Ronald Koeman ky është një rikthim te Barcelona, fanellën e të cilës e ka veshur për 6 sezone si futbollist dhe numëron 264 ndeshje, gjatë të cilave ka shënuar edhe 88 gola, ndonëse ka luajtur si mesfushor para mbrojtjes.

Sa i përket eksperiencës i trajner, Koeman ka drejtuar skuadra të ndryshme si Vitesse, Ajax, PSV, Feyenoord, Valencia, AZ Alkmaar, Benfica, Southampton, Everton e së fundi kombëtaren holandeze, me të cilën ka bërë një punë mjaft të mirë për ta rikthyer në nivele të larta.

Tani do të ketë të njëjtin mision edhe te Barcelona, që vitet e fundit ka treguar se nuk është më ajo skuadra që tremb të gjithë rivalët në Europë dhe mbi të gjitha sapo mbylli një sezon pa asnjë trofe të fituar.

Përveç Koeman, Barcelona njoftoi sot se ka emëruar në rolin e Drejtorit Teknik, spanjollin Ramon Planes, i cili merr kështu vendin e ish mbrojtësit francez Eric Abidal, i cili dha dorëheqjen ditën e djeshme.

Leave a Reply