“Kemi qarë të gjithë”, rrëfimi emocionues i Fetahajt për rënien e Lirisë nga Superliga

0
492
Foto: Arkiva

Liridon Fetahaj është lojtari i radhës nga Superliga e Kosovës që iu është bashkuar rrëfimeve të karantinës. Fetahaj i cili aktualisht luan tek skuadra lider në kampionatin e Kosovës, Ballkani ka zbuluar momentin më të rëndë të karrierës së tij.

Ekskluzivisht për rrëfimet e karantinës në GazetaBlic Sport, Fetahaj ka treguar se si ishte larguar nga ekipi i Prishtinës – për tu bashkuar me Lirinë dhe për ta ndihmuar kryetarin Iliaz lliazi dhe klubin e tij, të cilët ishin në pozitë të vështirë.

“Rasti më i dimbshëm për mua ka qenë rënia nga Superliga me ekipin e Lirisë vitin e kaluar. Pasi fitova Kupën me Prishtinën, kam biseduar me kryetarin e Lirisë, Iliaz Iliazi – i cili më tha i kam vetëm dy lojtarë!
Kishte nevojë për lojtarë, sepse ishte në pozitë tepër të vështirë.

Unë e kuptova dhe vendosa të heq dorë nga kontrata goxha e majme me klubin e Prishtinës – vetëm që ta ndihmoja Lirinë për të shpëtuar nga rënia”, tha fillimisht Fetahaj për GazetaBlic Sport.
Në fund, Fetahaj tregoi gjithashtu se lojtarët e Lirisë ishin tepër të mërzitur për rënien nga Superliga, andaj të gjithë ishin mbyllur në zhveshtore dhe kishin shpërthyer në lot.

“Megjithatë në ditën që e kemi kuptuar që matematikisht kemi rënë nga Superliga – për të gjithë ne ka qenë shumë e rëndë. Vetëm e shikonim njëri tjetrin dhe qanim. E kam peng gjithmonë këtë gjë, pasi shumë shikues prizrenas kanë pritur që do të shpëtojmë mirëpo nuk ia dolëm”, përfundoi rrëfimin Fetahaj.

Vlen të theksohet se mesfushori me tipare sulmuese aktualisht është pjesë e klubit të Ballkanit dhe për dallim nga viti i kaluar, këtë edicion ai synon titullin kampion me ekipin e Ismet Munishit.

Leave a Reply