Ja çfarë thonë Munishi e Tovërlani pas sfidës Ballkani-Feronikeli

0
436

Nuk pati fitues në sfidën e parë gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, mes Ballkanit dhe Feronikelti, pasi përtej luftës së fortë sportive, dy skuadrat nuk arritën të dërgojnë topin në rrjetë dhe takimi u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0.

Në Therandë protagonistë të takimit ishin vendasit e drejtuar nga Ismet Munishi, të cilët provuan të kontrollojnë lojën dhe të shënojnë për të hedhur një hap drejt finales, por nuk arritën të ishin të saktë përpara portës.

Nga ana tjetër, edhe Feronikeli pati mundësitë e tij për shënim, por nuk ia doli dhe la gjithçka të hapur për kualifikimin, që do të vendoset dy javë më vonë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit.

“Luajtëm përballë një kundërshtari mjaft të fortë dhe të organizuar, por ia dolëm të përballemi me dinjitet dhe të bëjmë mirë. Mund të kishim shënuar edhe një gol, por rezultati është i mirë dhe na jep shpresë për ndeshjen e kthimit. Dje futbollistët morën edhe një pagë nga presidenca, pasi nuk ishin paguar prej disa muajsh, ndërsa shpresoj që kjo të na ndihmojë të reagojmë për fazën finale të sezonit”, u shpreh trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani.

“E kemi ditur që Feronikeli është kampioni në fuqi dhe që nuk na priste një ndeshje e lehtë, pasi kundërshtari ka Kupën të vetmen mundësi për të dalë në Europë. Ne kontrolluam topin, por nuk arritëm të krijojmë raste të pastra. Feronikeli sot luajti në mbrojtje dhe e bëri këtë shumë mirë,. Nëse do të përsërisë të njëjtën lojë edhe në Drenas, duhet që Tovërlanin ta bëjmë Ministër të Mbrojtjes në qeverinë e re (qesh)”, tha trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi.

Leave a Reply