Gotze riniset nga kampionati holandez, nënshkruan me PSV-në

0
405

Fantazisti 28-vjeçar gjerman Mario Gotze ka vendosur të vijojë karrierën e tij në kampionatin holandez, pasi ka nënshkruar mbrëmjen e djeshme për dy sezone me skuadrën e PSV Eindhoven.

Futbollisti ishte i lirë, pasi i kishte përfunduar kontrata me Borussian e Dortmundit dhe pasi priti deri në ditën e fundit të merkatos, vendosi t’u bashkohet holandezëve, ku edhe u prezantua zyrtarisht mbrëmjen e djeshme.

I rritur te të rinjtë e Borussias së Dortmundit, Mario Gotze debutoi me verdhezinjtë në 2009-ën dhe qëndroi në “Signal Iduna Park” deri në 2013-ën, për t’u transferuar më pas te Bayern Mynih ku qëndroi për 3 sezone.

Kulmi i karrierës së fantazistit ishte verën e 2014-ës, kur shënoi golin e finales së Kupës së Botës përballë Argjentinës dhe i dha Gjermanisë trofeun, por më pas karriera e tij mori tatëpjetën në mënyrë të çuditshme dhe në verën e 2016-ës u rikthye sërish te Borussia e Dortmundit.

Edhe këtë herë qëndroi për 4 sezone me fanellën e verdhezinjve, por pa arritur të shndërrohet në titullar dhe drejtuesit e Dortmundit nuk ia rinovuan kontratën. Tani Gotze do të provojë të ringrihet nga një kampionat që shquhet për lojë të hapur e sulmuese, pa shumë llogari taktike./SS/

Leave a Reply