Gjermania në Kiev për fitoren e parë, Spanja pret Zvicrën

0
332

Grupi i Katërt i Divizionit Kryesor në Ligën e Kombeve konsiderohet ndër më të ekuilibruarit në edicionin e dytë të UEFA Nations League.

Skuadrat ndezën motorët në mesjavë, më saktë mbrëmjen e të mërkurës me ndeshjet e ndryshme miqësore, ndërsa tani është koha për të zhvilluar ndeshjet e treta të fazës së grupeve.

Për momentin komandon Spanja, që kryeson këtë grup në kuotën e 4 pikëve, ndërkohë nga afër ndjek ekipi i Ukrainës me vetëm një pikë më pak.

Në pjesën e poshtme të klasifikimit në Grupin e Katërt renditen edhe dy skuadrat përfaqësuese që nuk njohin fitore, Gjermania me 2 dhe Zvivra me thjesht 1 pikë të vetme. Këtë herë “furia e kuqe” do të presë në kryeqytet në qendrën stërvitore të Realit të Madridit, në Valdebebas, në orën 20:45 në stadiumin “Alfredo Di Stefano” ekipin e Zvicrës.

Ndonëse dominoi Portugalinë, në kontrollin e topit, brenda në stadiumin “Jose Alvalade”, Spanja e Luis Enrikes u tregua shumë sterile dhe dështoi për të gjetur rrugën e rrjetës, përkundrazi në Lisbonë ishte skuadra luzitane që u shfaq më kërcënuese duke goditur traversën me anë të dyshes Cristiano Ronaldo – Renato Sanches, ndërsa përfaqësuesja helvete pavarësisht se zhbllokoi e para rezultatin përsëri u mund brenda në St. Gallen nga ekipi i Kroacisë.

Në takimin hapës Spanja nuk bëri figurë të mirë, duke shpërdoruar pa fund, përpara portierit Kevin Trapp, gjithsesi skuadra e Luis Enrikes ia doli për të barazuar pikërisht në 96’, me anë të mbrojtësit të Valencias Jose Luis Gaya, ndërsa në takimin e dytë “la furia roja” shpartalloi Ukrainën, brenda në Madrid, në një ndeshje ku gjysmën e golave e realizoi pikërisht kapiteni Sergio Ramos. Në krahun tjetër pas humbjes minimale në Lviv me Ukrainën, skuadra e drejtuar nga trajneri Vladimir Petkovic dominoi gjatë gjithë pjesës së dytë Gjermaninë në St. Jakob – Park, e megjithatë skuadra helvete nuk shkoi dot përtej një barazimi me gola.

Te Spanja do të mungojë mbrojtësi i djathtë Dani Carvajal, sidoqoftë trajneri asturian pritet të pozicionojë në atë rol Sergi Roberto-n ose veteranin e Sevillas Jesus Navas, ndërsa 24-vjecari Fabian Ruiz është bllokuar në Qendrën Stërvitore të Napolit, Castel Volturno në gjendje izolimi. Në krahun tjetër ekipit helvet i është bashkangjitur edhe Xherdan Shaqiri, pasi tamponi i tij i dytë për virusin Covid – 19 rezultoi negativ.

Përfaqësuesja e Spanjës është qartësisht favorite, duke patur parasysh edhe statistikat, që konfirmojnë se skuadra iberike ka fituar 15 nga 20 sfidat ndërmjet tyre. Zvicra ia ka dalë mbanë për ta mposhtur “furinë e kuqe” vetëm një herë në histori, megjithatë ajo është edhe humbja më e ëmbël në gjithë historinë e kombëtares spanjolle, sepse pas disfatës 1-0 në Durban në fazën e grupeve ekipi i drejtuar nga veterani Vicente Del Bosque triumfoi duke fituar botërorin që u zhvillua në Afrikën e Jugut.

Po në orën 20:45 në “Olimpiyiskiy” të Kievit do të përballen gjithashtu edhe Ukraina me Gjermaninë. Në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s duket sikur këto dy vende nuk kanë shumë diferenca, pasi “panzer”-at pozicionohen në vendin e 14, ndërsa Ukraina renditet në vendin e 24, gjithsesi këtë herë “verdheblutë” janë vërtet në telashe, për shkak të mungesave të shumta dhe problemeve të mëdha që do të ketë trajneri Andriy Shevchenko me formacionin, ndërsa në anën tjetër në dyshim mbetet vetëm Timo Werner, transmeton SS.

Në mesjavë sulmuesi i ri i Chelsea-t mungoi në barazimin 3-3 ndaj Turqisë në qytetin e Këlnit, ndërsa Ukraina përjetoi një tërmet 7 ballësh në Paris, teksa u shpartallua 7-1 nga kampionët në fuqi të botës. Verdheblutë nuk kanë fituar kurrë ndaj “mannschaft”-it dhe Gjermania numëron 3 fitore e 3 barazime në 6 sfidat ndërmjet tyre, 5 nga të cilat kanë qenë ndeshje kompetitive.

Leave a Reply