Gashi humb luftën më të madhe në karrierë

0
66

Kikboksieri kosovar, Elvis Gashi, ishte shumë optimist para përballjes për titull, por ai duhet të presë rast tjetër për t’iu gëzuar titullit të kampionit në “Glory”, serinë më të madhe të sportit të kikboksit.

Të shtunën, në Shenzhen të Kinës, Gashi pësoi humbje me nokaut në raundin e fundit nga Marat Grigorian, që kështu ka mbajtur titullin e kampionit të botës në Glory, në kategorinë e lehtë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gashi ishte i pamposhtur në 23 luftërat e kaluara dhe kishte fituar të gjitha pesë luftërat në Glory, por ndaj Grigorianit nuk ia doli të vazhdojë serinë. Kikboksieri pejan, që karrierën e zhvillon në SHBA, nisi fuqishëm luftën dhe fitoi dy raundet e para të luftës, nga pesë sa janë gjithsej. Kështu ai dha shpresë se do të bëhej kampioni i parë në Glory, që te titulli arrin pa humbje gjatë karrierës.

“Goditjet me direkt të Gashit dhe kroshetë kanë gjetur cakun shpesh në raundet e para. Ndërkohë Grigorian ishte më shumë i koncentruar në goditjet me këmbë. Por pasi filloi raundi i tretë kampioni në fuqi mori kontrollin, pasi kishte kalkuluar drejt që Gashi do të fillonte të ngadalësonte”, ka shkruar faqja e Glory.

Raundet katër dhe pesë ishin “territor” i ri për Gashin, që kryesisht mbyll luftërat shpejt. Grigorian dominoi në këto raunde, ndërsa në minutën e fundit të raundit të pestë nokautoi kikboksierin kosovar.

Lufta e Gashit ishte kryesorja e mbrëmjes. Ai tani duhet të arrijë disa fitore për të fituar rast tjetër për titull të kampionit. Gashi ka kaluar shumë vështirësi për të siguruar luftë për titull dhe nuk pritet të ndalet derisa të sfidojë sërish titullin.

“Ishte luftë e mirë, por e kam ditur se do të fitoj. Gashi asnjëherë nuk është përballur me dikë si unë dhe tani e di diferencën. Kushdo që dëshiron të testohet është i mirëseardhur për mua. Nuk paraqet dallim, brezi i kampionit mbetet i imi”, ka thënë Grigorian.

Leave a Reply