Everton-Liverpool, ora 13:30, derbi i Merseyside me lavdinë e dikurshme

0
360

Pas plot 33-vjetësh derbi i Merseyside, Everton – Liverpool, rikthehet plot madhështi për të rifituar vëmendjen e dikurshme. Dy klubet e famshme të Liverpoolit do të përballen ndërmjet tyre që në javën e pestë të Premier League-s, në një duel të mirëfilltë, që do të provojë në njëfarë mënyre edhe forcën e vërtetë të këtyre dy skuadrave në këtë sezon të kampionatit anglez.

Pas peticionit dhe mbledhjes së plot 197.000 firmave Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar do të diskutojë më datën 9 nëntor mundësinë e rikthimit të tifozëve nëpër stadiume, qoftë edhe në numër të kufizuar, sidoqoftë për momentin të gjitha ndeshjet do të vazhdojnë të luhen pa praninë e spektatorëve.

Kjo ishte sfida e parë për ekipin e drejtuar nga Jurgen Klopp, pas rikthimit të skuadrave në fushë për vazhdimin e sezonit, pas izolimit dhe ndërprerjes së gjatë të kampionatit pikërisht për shkak të pandemisë së Koronavirusit dhe për hir të së vërtetës dy skuadrat u shfaqën disi të ndrojtura në fushën e lojës, madje në “Goodison Park” dy ekipet nuk shkuan dot përtej një barazimi të bardhë.

Një derbi i egër dhe tepër i zjarrtë që prej vitesh e pati humbur atë shkëlqimin e dikurshëm, sidoqoftë Liverpooli mund të krenohet më në fund me titullin e parë në historinë e Premiershipit, ndërsa Evertoni që deri tani dukej sikur zbriste në fushë më shumë për të prishur punë dhe për të penguar rivalët e vjetër, ka rastin për të treguar më së miri vlerat e vërteta, si për të konfirmuar që “Toffees” nuk janë rastësisht në krye të kampionatit anglez.

Blutë e Liverpoolit kanë filluar të ëndërrojnë vërtet për diçka të madhe. As vetë trajneri i ekipit, Carlo Ancelotti, nuk e priste një shpërthim të tillë të skuadrës, gjithsesi treshja e mesit të fushës James Rodriguez – Allan – Doucoure ka shkëlqyer që në debutim dhe befas Evertoni udhëheq Premier League-n me pikë të plota, duke qenë për më tepër edhe ekipi që ka shënuar më tepër, plot 12 gola, pra praktikisht po aq sa edhe dy skuadrat e tjera Leicester City dhe Tottenham Hotspur.

Gjysmën e këtyre golave e ka realizuar pikërisht sulmuesi Dominic Calvert – Lewin. Me nuhatjen e tij veterani italian dalloi ngjashmëri në lojë me ish-sulmuesin e famshëm Filippo Inzaghi. 61-vjeçari emilian i sugjeroi numrit 9 për të parë disa nga golat e Pipos dhe në fakt një këshillë e tillë pati efekt të menjëhershëm. Bashkë me koreano-jugorin Heung – Min Son kryesojnë në mënyrë të papritur listën e golashënuesve më të mirë të ligës angleze, për më tepër përveçse u grumbullua me përfaqësuesen Calvert – Lewin shënoi gjithashtu edhe që në ndeshjen e tij të debutimit me ekipin e “tre luanëve”.

Përveç treshes së mesit të fushës, që duket sikur luan prej një jete bashkë, Ancelotti ka afruar në gjirin e ekipit edhe Ben Godfrey-n, që konsiderohet si një ndër mbrojtësit më premtues të kampionatit anglez, por gjithashtu edhe 30-vjeçarin Robin Olsen, si për të paralajmëruar në njëfarë mënyre portierin aventurier të përfaqësueses, Jordan Pickford, për të bërë kujdes mes shtyllave.

Në krahun tjetër “të kuqtë” janë me fat që i rikthehen Premiershipit pikërisht me një duel të tillë. Humbja katastrofike me rezultatin 7-2 në “Villa Park” erdhi në mënyrë krejtësisht të papritur, gjithsesi në atë takim trajneri Jurgen Klopp nuk pati në dispozicion sulmuesin Sadio Mane si dhe portierin Alisson, ndërsa kapiteni Jordan Henderson kishte probleme fizike dhe u ruajt në stol.

Humbje të tilla ndodhin madje kampionati anglez është i famshëm dhe mbetet unik pikërisht për këtë karakteristikë të rrallë, pasi të gjithë mund të fitojnë ndaj çdokujt. Derbi këtë herë pritet me shumë emocion këtyre anëve, sidomos pas vëmendjes që ka tërhequr në mënyrë të kuptueshme ekipi i Evertonit.

Në mesin e viteve ‘80 këto dy klube dominuan futbollin anglez. Në njërin krah drejtonte Kenny Dalglish ndërsa në tjetrin Howard Kendall, sidoqoftë këto dy skuadra nuk i lëshuan dy vendet e para dhe ato vite janë rrënjosur thellë te tifozët e dy klubeve, sepse Evertoni pasi theu hegjemoninë e  “të kuqve” që po dominonin në Kontinentin e Vjetër u kurorëzua gjithashtu edhe me titujt në vitet 1985 e 1987, ndërsa Liverpooli, ndonëse kishte skuadrën më të mirë, u mjaftua thjesht me kampionatin e fituar në vitin 1986 në ato tre sezone.

Pavarësisht ardhjes së një trajneri si Carlo Ancelotti, progresit apo qoftë edhe 7 fitoreve radhazi të regjistruara në Premiership dhe Kupën e Ligës,  ky mbetet një takim shumë i vështirë për Evertonin, që nuk ka arritur të shënojë dot as gol në katër përballjet e fundit ndërmjet tyre në shtëpi.

Evertoni nuk fiton një duel në Premier League mes tyre që nga viti 2010, kur ekipi drejtohej nga trajneri David Moyes dhe golat u shënuan nga dyshja Mikel Arteta – Tim Cahill. Takimi do të luhet në “Goodison Park”, në orën 13:30, e do të drejtohet nga kryesori Michael Oliver, gjithsesi kurioz është fakti që tri sfidat e fundit ndërmjet tyre në këtë stadium janë mbyllur në barazim pa gola./SS

Leave a Reply