Dijoni i jep leje Bersant Celinës t’i bashkohet Kosovës për ndeshjet e marsit

0
348

Dijoni e ka liruar Bersant Celinën t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës në fund të këtij muaji, njofton klubi francez.

Bashkimi i Celinës me ekipin kombëtar dardan për ndeshjet kundër Suedisë dhe Spanjës më 28 dhe 31 mars ishte i pasigurt, pasi klubet e Ligue 1 kishin rënë në ujdi të mos i lironin lojtarët e vet për t’iu bashkuar kombëtareve të tyre përkatëse, duke iu druajtur izolimit kur të ktheheshin në Francë, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, Dijoni njofton se do t’i lirojë lojtarët e vet, përfshirë Celinën, për t’iu bashkuar Kombëtareve të tyre pas një vendimi të ri të Ministrisë së Sportit të Francës.

Ministria franceze nuk do t’iu kërkojnë ta respektojnë masën e izolimit shtatëditor lojtarëve që udhëtojnë jashtë zonës evropiane, sipas klubit francez.

Kosova po e pret në ankth edhe lajmin për Valon Berishën dhe Arbër Zenelin, dyshen tjetër që luan për klubin e Ligue 1, Stade de Reims.

Kombëtarja e Kosovës pritet të mblidhet sot në Prishtinë për t’i nisur përgatitjet për fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e vet.

Por para se t’i nisin kualifikimet për Botërorin Katari 2022, verdhekaltrit do të përballen me Lituaninë në një ndeshje miqësore më 24 mars në Prishtinë.

Të dielën më 28 mars, Kosova e pret Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshjen hapëse për Katari 2022, para se të udhëtojë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën. /Gazeta Express/

Leave a Reply