Brozo e Lukaku reagojnë pas sherrit, “ngjyrosin” zikaltër derbin e Milanos

0
20

U aludua gjatë për një sherr mes tyre në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes me Slavian e Pragës, por Marcelo Brozoviç dhe Romelu Lukaku preferuan të japin përgjigjen e tyre në derbin e Madoninnës, duke shënuar golat që “ngjyrosën zikaltër” qytetin e Milanos.

Interi edhe kështu pas krahëve dështimin në Champions, duke mposhtur Milanin 2-0 në derbi dhe duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në po kaq ndeshje të kampionatit, që e mbajnë me meritë në krye të renditjes me 12 pikë të plota.

Në një “San Siro” të mbushur thuajse plot (nuk ishin hapur tribunat që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë), koreografia dhe gjithçka ishin spektakolare për një atmosferë derbi, që nisi në mënyrë mjaft miqësore, me futbollistët e dy ekipeve që pozuan bashkë për të dhënë një mesazh kundër racizmit.

Më pas vëmendja u përqendrua në katërkëndëshin e blertë, ku të dy skuadrat nisën të bëjnë atë që munden ta bëjnë më mirë, të luajnë futboll. Ishte Interi i Contes që mori kontrollin e lojës, me presing të lartë që i detyronte lojtarët e Milanit të largonin shpesh topin pa adresë, për të shmangur rrezikun.

Nga ana tjetër, kuqezinjtë e Giampaolit vuanin shumë për të gjetur hapësira në mbrojtjen “bunker” të zikaltërve, teksa kërcënimin e vetëm të rrezikshëm e patën me anë të Susos, që depërtoi deri në zonë, por goditjen e tij e devijoi në këndore Asamoah.

Zikaltrit filluan të kërcënojnë vazhdimisht kuadratin e Donnarummës, por ky i fundit ishte gjithmonë gati për të reaguar, deri në momentin kur Lautaro Martinez shtyu në rrjetë një top të grushtuar prej tij, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje.

Pjesa e parë përfundoi me barazimin pa gola, ndërsa në dhomat e zhveshjes Conte kishte shkundur të tijtë, që u kthyen me një ritëm krejt tjetër në fushë, duke u hedhur menjëherë në sulm për golin e avantazhit.

Pritja nuk do të zgjaste shumë, pasi në minutën e 49’, ishte Marcelo Brozoviç që u shërbye pranë vijës së zonës së 16 metrave dhe gjuajti menjëherë me të djathtën, ndërsa topi u devijua në këmbët e portugezit Leao dhe shtangu Donnarummën, duke përfunduar në rrjetë.

Pamjet në VAR konfirmuan se goli ishte i rregullt, ndërsa në “San Siro” shpërtheu festa zikaltër, me futbollistët e Contes që zhvendosën lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe filluan një betejë të ashpër me Donnarummën dhe shtyllat e portës së tij.

Reagimi i Milanit ishte i vakët edhe pas zëvendësimeve të Giampaolos, ndërsa në minutën e 78’, në një zbritje të shpejtë nga krahu i djathtë, Barella krosoi saktë për Romelu Lukakun, që i vodhi kohën Romagnolit dhe me kokë mposhti për herë të dytë Donnarummën.

Ky gol “vrau” shpresat e Milanit për të mos dalë të humbur nga derbi, ndërsa në minutat e mbetura Interi tentoi një tjetër gol me Candrevën, por goditja e tij u ndal sërish në shtyllën e portës së Donnarummës dhe sfida përfundoi me rezultatin 2-0.

Dominim total mbrëmjen e sotme për zikaltrit, që përveç dy golave të shënuar dhe një tjetri të anuluar, arritën të godasin dy herë shtyllën, një herë traversën dhe të testojnë disa herë aftësitë e Donnarummës. Shumë pak për Milani, që përveç një rasti të Susos dhe një shtylle të Theo Hernandez, nuk vuri asnjëherë në provë portierin Handanoviç./SS

Leave a Reply