Specialja tregon se si do të veprohet pas garancës së Policisë për Kadri Veselin

0
206

Të premten e 26 nëntorit, mbrojtja e Kadri Veselit konfirmoi se Policia e Kosovës ka dhënë garancë për lirimin e përkohshëm të tij.

Siç thuhet në dokumentin e mbrojtjes, Policia e Kosovës është më e pajisur për të zbatuar urdhrat e Gjykatës sesa njësitet në Qendrën e Paraburgimit, shkruan FrontOnline.

Mbrojtja tutje thotë se angazhimi i detajuar i marrë nga Policia e Kosovës ndryshon qartazi rrethanat dhe në mënyrë direkte, zvogëlon rrezikun që Gjyqtari i Procedurës Paraprake kishte përmendur në vendimin paraprak për çështjen e Arrestit Shtëpiak.

E, në një përgjigje për FrontOnline, nga Specialja kanë thënë se pavarësisht përgjigjes së Policisë, vendimi për Kadri Veselin varet kryekëput nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Varet nga gjyqtari i procedurës paraprake ose kolegjit përkatës të gjyqtarëve që të vendosë për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, bazuar në të gjitha informatat në dispozicion, përfshirë çdo informacion të siguruar nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Front Online.

Nga Specialja kanë deklaruar se parashtresat e Policisë së Kosovës mbeten konfidenciale.

“Parashtresat e Policisë së Kosovës mbeten konfidenciale. Në këtë pikë, asnjë vendim nuk është i disponueshëm publikisht në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet më tutje në përgjigje.

Por, cilat janë procedurat që do të ndiqen tash e tutje pas përgjigjes së Policisë.

A do të kthehet Kadri Veseli në Kosovë? Ja çfarë thotë avokati i akredituar i Speciales

Avokati i akredituar i Speciales, Artan Qerkini, në një prononcim për FrontOnline, ka thënë se Specialja tashmë do ta vlerësojë përgjigjen e Policisë së Kosovës.

“I mbetet Gjykatës me vlerësu përgjigjen e Policisë, edhe gjitha ato pyetje që i ka parashtru Gjykata të shoh nëse ka marrë përgjigje adekuate në secilën prej tyre dhe nëse gjykata vlerëson se Policia e Kosovës është në gjendje që të zbatojë urdhrat e gjykatës nëse gjykata vendos që ta ndërprenë masën e paraburgimit me masë të arrestit shtëpiak, atëherë të merr një vendim për ndryshimin e kësaj mase”, është shprehur Qerkini për FrontOnline.

Policia e Kosovës më tetë tetor e pranoi letrën e Speciales në versionin anglisht përmes së cilës kërkohej përgjigje rreth ofrimit ose jo të garancës për lirimin me kusht të tre ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.

Por, garanca siç u cek më lartë është dhënë vetëm për Kadri Veselin, e nuk dihet se çfarë ka ndodhur me Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

E, për këtë Qerkini, ka një përgjigje.

“Nuk e di, gjykata nuk na ka tregu që Policia të jep garancë edhe për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, nuk jam në dijeni por besoj se ata do të jepnin edhe për këta dy të pandehur garanci të njëjta sepse nuk ka arsye të mos japin për këta dy të fundit e të japin për të tjerët”, ka thënë ndër të tjera avokati Qerkini.

A është ofruar garanci edhe për ish-krerët e tjerë të UÇK-së? Flet avokati i akredituar i Speciales

Edhepse Policia ka dhënë garancë nuk do të thotë që apriori gjykata mund të vendosë për lirimin ose jo në arrest shtëpiak për Kadri Veselin. Specialja i vlerëson edhe çështjet e tjera.

Kështu, ka thënë në një prononcim për FrontOnline, avokati i akredituar i Speciales, Skënder Musa.

“Janë edhe kushtet tjera, karakteristikat tjera që duhet me i vlersu gjykata, dhe në këtë aspekt edhe pse Policia ka dhënë garancion nuk do të thotë apriori që tash duhet me u vendos në bazë të shkresës së Policisë. Gjykata është e pavarur dhe i vlerëson edhe rrethanat tjera të cilat kanë të bëjnë me paraburgim. Ajo që ne mendojmë është se ka kushte me u ndërpre masa e paraburgimit me u zëvendësu me një masë tjetër, mirëpo i vetmi organ kompetent që vendos për këtë çështje është gjyqtari i cili është duke e udhëheq procedurën në Speciale”, ka deklaruar Musa.

I pyetur se a mund të jenë të përfshirë në këtë shkresë edhe Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, Musa është shprehur se në procedurë penale shkresat jepen vetëm për individin.

“Në procedurë penale secila shkresë që jepet, jepet vetëm për individin, sepse çdo person jep karakteristikat individuale, nuk mundet me vlejtë një garanaci për një pale në procedurë penale edhe për personat e tjerë, ka thënë ndër të tjera ai.

Sipas tij, nëse garanca është dhënë vetëm për Kadri Veselin ajo aplikohet vetëm për të dhe jo edhe për palët tjera.

“Nëse garanacioni është dhënë vetëm për Kadri Veselin ai mund të aplikohet vetëm për Kadri Veselin, nuk mund të aplikohet edhe për palët tjera në procedurë, mirëpo nëse garancioni është dhënë për të gjitha palët atëherë ajo mund të merret si provë për të gjitha palët, pro jo nëse është dhënë vetëm për Kadri Veselin, ajo shkresë mund të përdoret si provë vetëm në dobi të Kadri Veselit”, ka deklaruar Musa, për FrontOnline.

Në fillim të nëntorit është bërë një vit prej kur Specialja ka arrestuar katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë për akuzat për krime lufte./FrontOnline

Leave a Reply