Smaka: Vendimi për kufizimin e lëvizjes, në harmoni me Kushtetutën

0
309

Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që ua kufizon në nëntëmbëdhjetë minuta daljen qytetarëve, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, e konsideron plotësisht të ligjshëm njohësi i çështjeve juridike dhe njëri prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka.

Smaka ka thënë se ministria në detyrë e Shëndetësisë ka vepruar përshtatshëm dhe justifikueshëm, në funksion të shëndetit të qytetarëve të Kosovës, duke theksuar në të njëjtën kohë se ai nuk ka besim tek Gjykata Kushtetuese.

“Konsideroj se Qeveria, përkatësisht ministri i Shëndetësisë gjithnjë ka vepruar mirë. Edhe në këtë rast ka vepruar përshtatshëm dhe justifikueshëm në funksion të shëndetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Smaka i ka thënë ksp-së po ashtu që qytetarët do të duhej “t’i përfillnin këto postulate të përcaktuara me vendimin për këto masa të kufizimit të lëvizjes”.

Smaka ka folur edhe për Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se nuk i beson asaj.

“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese kurrfarë besimi në të nuk kam, duke u nisur nga puna e deritashme e papërgjegjshme që shpesh herë në vend që të vendoste sipas Kushtetutës, ka vendosur sipas kërkesave politike ditore”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe nëse dikush do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtij vendimi, kjo e fundit do të duhej të vepronte në konformitet me realitetin ekzistues me interesin e përgjithshëm.

“Në Kushtetutë janë përcaktuar subjektet që mund t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese, se në fund të fundit mund t’i drejtohet sa për t’iu drejtuar, mirëpo unë po të isha bie fjala gjykatës në Gjykatën Kushtetuese natyrisht se do të kisha refuzuar si të pabazë…Nisem nga njohuritë edhe doktrinare dhe empirike kushtetutare që Gjykata Kushtetute do të duhej të vepronte në konformitet me realitetin ekzistues me interesin e përgjithshëm. Se nuk është ajo Gjykatë e faktit, faktike që në mënyrë dogmatike e aplikon dispozitën, por i merr për bazë rrethanat socioekonomike, politike e shëndetësore në këtë rast”, ka deklaruar ai.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të hënën mbrëma që prej 15 prillit, qytetarëve t’iu lejohet dalja jashtë shtëpive vetëm një herë në ditë dhe atë për vetëm një orë e gjysmë, sa për të kryer furnizimet me artikuj të domosdoshëm ushqimor ose obligime tjera financiare. Dalja e qytetarëve është rregulluar në bazë të numrit të parafundit të numrit personal.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka mbërritur në 377, derisa ai i të vdekurve në tetë.

Leave a Reply