Të akuzuarit për rrënimin e aneksit të “Abi Çarshia” kërkojnë hudhjen e aktakuzës

0
94

Ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, të cilët po akuzohen për rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia”, në shqyrtimin e dytë të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Sipas mbrojtësit të të akuzuarit Shqipron Krasniqi, avokatit Bestar Kolgeci, në aktakuzë prokurori nuk ka cekur se me cilat veprime aktive klienti i tij e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Islam Thaqi, avokati Blerim Mazreku deklaroi se edhe me përmirësimin e aktakuzës, nuk janë konkretizuar veprimet e të akuzuarve dhe se nuk është përshkruar se me cilat veprime është kryer vepra penale.

Sipas avokatit Mazreku, kjo vepër penale kryhet vetëm me dashje, mirëpo prokurori nuk ka arritur që të tregojë se me cilat veprime apo se cili ka qenë qëllimi i të akuzuarve që me dashje direkte ta dëmtojnë kompaninë “Abi” Sh.P.K.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarës Egzona Morina, avokati Valdet Hoxha deklaroi se udhëzimi administrativ me të cilin është rregulluar çështja e ndërtimeve pa leje, është nxjerrë 8 ditë para se ligji për ndërtime pa leje të hynte në fuqi.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarës Jetmira Venenzi, avokati Ardian Morina, si dhe të akuzuarit Arian Taraku e Isë Bislimaj, deklaruan se mbesin pranë kundërshtimeve dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, të cilat ia kanë dorëzuar me shkrim gjykatës.

Në anën tjetër, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se aktakuzën e ka të mbështetur në prova të cilat janë të pranueshme për gjykatën, duke përfshirë deklaratat e të akuzuarve, deklaratën e të dëmtuarit, ekspertiza e ekspertit të ndërtimtarisë, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), të cilave vendime prokurori thotë se të akuzuarit nuk u janë përmbajtur.

Po ashtu, prokurori Sefa deklaroi se ka vepruar në tërësi në bazë të obligimeve dhe se veprimet e tij janë mbështetur edhe në video incizime të televizioneve lokale në Prizren, ku shihen të akuzuarit duke u fjalosur me zyrtarin policor dhe më përfaqësuesin e palës së dëmtuar, ku edhe i akuzuari Islam Thaqi thotë se i tërë shteti qenka në shërbim të “Abi” Sh.P.K.

Prokurori Sefa deklaroi se me veprimet e të akuzuarve, dëmi që i është shkaktuar palës së dëmtuar është 69,729.66 euro.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Taulant Hodaj tha se mbetet pranë pretendimit se dëmi i është shkaktuar klientit të tij.

Pas kësaj, mbrojtësit e të akuzuarve i thanë prokurorit Sefa se aktakuza e tij është ngritur në bazë të lajmeve që i ka dëgjuar në media, duke e konsideruar të njëjtën aktakuzë të lajmeve.

Avokati Blerim Mazreku deklaroi se prokurori Sefa nuk e ka përmbushur obligimin ligjor që t’i shqyrtojë të gjitha provat, ato që janë në dobi apo në favor të akuzuarve dhe se me këtë veprim sipas avokatit ai ka shkelur të drejtat fundamentale të të akuzuarve, veçanërisht të drejtën për prezumimin e pafajësisë.

Ndërsa i akuzuari Islam Thaqi deklaroi se prokurorit i janë dorëzuar 78 prova, por të cilat tha se nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë përfshirë në aktakuzë.

Lidhur me këto, prokurori Sefa tha se prokuroria ka grumbulluar vetëm ato prova për të cilat është konsideruar se janë relevante për çështjen.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kymete Kicaj deklaroi se për të gjitha kundërshtimet e paraqitura me shkrim dhe ato që janë bërë sot verbalisht në seancë, gjykata do të merr aktvendim të veçantë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, duke i ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply