Prizren: Dy ish-anëtarë të komisionit mohojnë se kishin pasur presion për ndarjen e banesave për skamnorët dhe familjet e dëshmorëve

0
77

Dy ish-anëtarët e komisionit për dhënien e banesave për shoqatat e dala nga lufta dhe familjeve skamnore, Bashkim Lubofci dhe Ylber Gashi, kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë lloj presioni për përpilimin e listës përfundimtare për përfituesit e këtyre banesave.

Një deklaratë të tillë, ata e kanë dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi ndaj tre ish-anëtarëve të komisionit për dhënien e banesave për familjet e dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe familjeve skamnore, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit në Komunën e Prizrenit, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin e tyre, kështu duke i privuar nga kjo e drejtë familjet skamnore, të cilat sipas akuzës, i kanë plotësuar këto kritere, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes, dëshmitarët Lubofci dhe Gashi, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Reshat Memhmeti, avokatit Esat Gutaj, kanë mohuar që ndaj tyre të jetë ushtruar presion gjatë përpilimit të listave për përfituesit e këtyre banesave.

Dëshmitari Lubofci, ka thënë se ai kishte qenë i caktuar nga kryetari i komisionit, Reshat Mehmeti, për të bërë verifikimin e kushteve të familjeve skamnore.

Ndërsa, dëshmitari Gashi, gjithashtu ka thënë se edhe ai ishte i caktuar në një detyrë të tillë, duke shtuar se nuk e dinte se dikush e ka bërë verifikimin e kushteve të familjeve të dala nga lufta.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokati Gutaj se vendimet e komisionit a kanë qenë unanime, apo ka pasur kundërshtime, dëshmitarët kanë deklaruar se të gjitha vendimet kanë qenë unanime dhe nuk dinë që ka pasur ndonjë kundërshtim.

Në seancën e së enjtes, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe dy anëtarë të familjeve të dëshmorëve Abdurraman Susuri dhe Tasim Buduri.

Dëshmitari Abdurraman Susuri, ka thënë se pasi është baba i dëshmorit, kishte aplikuar për banesë për mbesën e tij, përkatësisht vajzën e dëshmorit, mirëpo sipas tij, një kërkesë e tillë i ishte refuzuar.

Ai ka thënë se kishin qenë për të bërë verifikimin e kushteve në të cilat jetonte, por një banesë e tillë nuk i ishte dhënë.

“Ka qenë në verifikim një femër nuk ia mbaj mend emrin, ka shenu që shpija është e jona dhe më kanë refuzu për banesë”, ka thënë ai.

Ndërsa, dëshmitarit Tasim Buduri ka deklaruar se si anëtar i familjes së dëshmorëve, nga ky komision ka përfituar një banesë prej 50 metrash katrorë.

Ai ka deklaruar se për verifikim kanë qenë disa persona, ku sipas tij, kishin konstatuar kushtet e rënda të jetesës.

Në këtë seancë, ka qenë e paraparë të dëgjohen edhe dëshmitarët tjetër, Hamdije Ademaj dhe Gyhere Maqkaj, por që ka munguar.

Ndërkaq, në seancën e së mërkurës, palët në procedurë i kanë dhënë edhe fjalët e tyre hyrëse.

Prokurori i rastit, Metush Biraj, ka deklaruar se nga provat e grumbulluara që do të administrohen në këtë gjykim, e që i janë bashkëngjitur lëndës, sipas tij, do të provohet përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve, avokati Esat Gutaj, Besim Koqina dhe Barije Besimi, kanë thënë se aktakuza e ngritur nuk ka mbështetje të mjaftueshme në provat e propozuara, pasi që sipas tyre, me këto prova konsiderojnë se nuk rezulton dyshimi i bazuar mirë se klientët e tyre, e kanë kryer një vepër të tillë penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Mehmetaj, avokati Esat Gutaj, ka thënë se me këtë aktakuzë, prokuroria thirret në udhëzimin administrativ, por absolutisht sipas tij, nuk ka prova se a është zhvilluar procedura administrative pranë kuvendit komunal, a janë respektuar të gjitha afatet, a kanë përfunduar të gjitha afatet dhe kush është këtu i dëmtuar.

Ai ka shtuar se vendimet në komision janë marrë në mënyrë unanime prej pesë anëtarëve, ndërsa para trupit gjykues ka thënë se janë tre të akuzuar. “Atëherë kjo aktakuzë pas administrimit të provave do të bie si e tillë”, ka thënë ai.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Besim Koqina, ka thënë se e mbështet fjalën hyrëse të kolegut të tij, duke shtuar se duhet shënuar në procesverbal se valide është aktakuza e 8 marsit 2019 dhe jo ajo e 28 shkurtit 2019.

Në fjalën hyrese të saj, mbrojtësja e të akuzuarit Rexhaj, avokatja Bahrije Besimi ka theksuar edhe njëherë se pas administrimit të provave të kësaj çështje penale, ky trup gjykues do të vërtetojë se i mbrojturi i saj nuk është kryes i veprës penale me të cilën e ngarkon kjo aktakuzë.

Por, pasi që ka munguar dëshmitarët Hamdije Ademaj dhe Gyhere Maqkaj, trupi gjykues e ka ndërprerë seancën e së mërkurës dhe seancën e radhës e ka caktuar më 31 tetor 2019, në ora 10:00.

Ndërsa, për propozimin e avokatit Gutaj, se në cilësi të dëshmitarëve të ftohen edhe ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Mujaj dhe ish-drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Farije Bytyqi, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka thënë se do të vendos në plotësim të procedurës së provave pasi që të administrohen provat materiale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 8 mars 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010, për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që mundë të përfitojnë nga programet e veçanta të banimit.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rast aplikuesit nga radha e familjeve të dëshmorëve kanë përfituar 82 banesa, aplikuesit nga familjet e luftës së UÇK-së kanë përfituar pesë banesa, familjet e veteranëve të luftës dy banesa, ndërsa nga radhët e familjeve skamnore kanë përfituar vetëm tre banesa.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply