Gara zgjedhore pa politikë/a

0
28
Adelina Hasani - Studente e doktoraturës në Universitetin e Ankarasë dhe hulumtuese në KDI

Kosova ka nevojë që në mënyrë emergjente të hartojë politika për përmirësimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike. Prandaj çdo subjekt politik këto tema duhet t’i ketë prioritet. Mbi gjitha, këto tema duhet të reflektojnë në programet e tyre politike, për të garantuar zhvillim shoqëror dhe demokratik. Subjektet politike duhet të fillojnë të diskutojnë mbi programet e tyre – duke ofruar zgjidhje konkrete për probleme me të cilat përballemi ne qytetarët, në përditshmëri. Hartimi i politikave konkrete do të ndihmojë që të mos mjegullohen problemet kryesore të vendit me diskurse populiste. Megjithatë kemi nevojë që një herë e përgjithmonë interesin personal mos ta mbivendosim në interesin publik.

Në skenën politike të Kosovës persona dhe figura të caktuara marrin vëmendje të veçantë në subjekte politike, por jo edhe programi dhe ideologjia e këtyre partive. Sipas raportit të Institutit për Studime Politike (2019) rreth perceptimit të qytetarëve për subjektet politike dhe politikat ndërkombëtare, tregon se 43% e kosovarëve nuk kanë njohuri apo informacion rreth asaj se çfarë nënkuptojnë konceptet i/e majtë, i/e djathtë apo i/e qendrës. Mungesa e diskutimeve të mirëfillta rreth ideologjisë ka bërë që ideologjia të kuptohet si diçka që shkakton vetëm dëme shoqërore dhe politike. Prandaj, me përjashtim të asaj se çfarë ideologjie përfaqëson një subjekt politik, apo çfarë programi dhe platforme politike i ofrojnë elektoratit të tyre, fokusi mbetet vetëm tek disa figura kyç të subjektit. Pa dyshim, në këtë kanë kontribuuar vetë subjektet politike ndër vite duke i reduktuar diskutimet publike në tema krejt sipërfaqësore. Madje dhe zhvillimet politike kanë treguar që jo edhe aq shumë kanë rëndësi ideologjitë për vetë subjektin. Mbi të gjitha, nuk duhet të harrojmë për rolin edukues që duhet ta kenë vetë subjektet politike, në përfaqësimin e ideve të zhvillimit shoqëror. Prandaj, a janë deklaruar partitë si qendër e djathtë apo qendër e majtë – nuk është fare relevante. Këtu ka vetëm kalkulime politike, madje edhe i tërë diskursi zhvillohet konform këtyre kalkulimeve.

Subjektet politike duhet t’u ofrojnë qytetarëve program, të cilat adresojnë çështje konkrete që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Lufta kundër korrupsionit, sistemi i shëndetësisë, arsimi, çështja e ambientit dhe, mbi të gjitha, sundimi i ligjit duhet të jenë prioritet për të gjitha subjektet politike. Aq më shumë, subjektet politike duhet ta reflektojnë perspektivën gjinore në programet e tyre politike. Ata duhet të fillojnë që të diskutojnë rreth programeve të tyre duke paraqitur qasjen ndaj problematikave dhe planet e tyre zhvillimore. Madje edhe fushata zgjedhore do të duhej të zhvillohej përkitazi programeve të tyre, e jo të individëve dhe figurave të caktuara, të cilat përfaqësojnë ata. Nëse kërkohet ndryshimi, atëherë kjo duhet të fillojë nga vetë subjektet politike.

Subjektet politike duhet ta respektojnë Ligjin për barazi gjinore, i cili kërkon përfaqësim të barabartë të të dy gjinive në listat zgjedhore të subjekteve politike. Mirëpo barazia gjinore nuk duhet të reduktohet vetëm me futjen e disa grave në lista zgjedhore. Andaj, është qenësore që barazinë gjinore ta trajtojnë si politikë, e cila mundëson përmirësimin e jetës sociale, ekonomike dhe politike të grave. Nuk ka nevojë për esencializëm gjinor, por për trajtim të barabartë të burrave dhe të grave – pa dallim gjinie. Prandaj, edhe kjo logjikë duhet të pasqyrohet në programet e subjekteve politike, përmes kësaj mundemi ta shohim nëse subjektet politike përnjëmend e trajtojnë çështjen e barazisë gjinore.

Gratë vazhdojnë të jetë pjesa më e diskriminuar e shoqërisë. Madje ky fenomen është i dominuar edhe në jetën politike dhe publike. Diskriminimi gjinor, vrasjet dhe dhuna ndaj grave, shkalla e lartë e papunësisë, bënë që gratë të përballen me shumë probleme socio – ekonomike. Çështjet gjinore duhet të diskutohen në nivel politik, për më tepër, duhet të ndërtohen politika të qëndrueshme për garantimin e barazisë gjinore. Për më shumë, subjektet politike duhet t’i mbështesin në mënyrë të barabartë kandidatët gra dhe burra në fushatën zgjedhore.

Rregullimi i sistemit të shëndetësisë dhe arsimit duhet të jetë prioritet për çdo subjekt politik, duke paraqitur strategji të mirëfillta në programet e tyre politike për përmirësimin e këtyre dy sektorëve jetikë për shoqërinë kosovare. Aq më shumë, subjektet politike duhet ta paraqesin qartazi se si do ta luftojnë nivelin e lartë të korrupsionit në institucionet publike, ku, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, Kosova vlerësohet me 37 pikë, duke u renditur nën mesataren globale prej 43 pikësh. Ky rangim u atribuohet institucioneve të Kosovës, që tregon për nivelin e lartë të korrupsionit në institucione publike.

Brenda shumë problemeve që përballet shoqëria e Kosovës, mbrojtja e ambientit duhet të marrë vëmendje të veçantë në programet politike. Duket se deri më tani kjo çështje është lënë pas dore duke mos qenë në listën e agjendave të subjekteve politike. Ndotja dhe shkatërrimi i ambientit janë evidente, andaj duhet të veprohet në mënyrë urgjente për ta ndalur këtë shkatërrim.

Le t’i sfidojmë subjektet politike duke kërkuar ngritje të standardeve në programet politike, t’i sfidojmë duke kërkuar zgjedhje për probleme konkrete me të cilat ne qytetarët ballafaqohemi çdo ditë. Të kërkojmë dhe t’i sfidojmë që çështjen e barazisë gjinore mos ta përdorin vetëm si demagogji, por ta aplikojnë në programet e tyre zgjedhore. Të kërkojmë që të mos përfshihen kandidatët e korruptuar në listat zgjedhore, ndërsa ne si votues nuk duhet assesi t’i votojmë kandidatët e korruptuar. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë ngritje të standardeve nga subjektet politike, derisa ato të realizohen.

Shkruan: Adelina HASANI

Leave a Reply