Shqiptari e shiti votën të serbët, detaje nga arrestimet e kryera në Kllokot

0
291

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njoftoi para pak çasteve se mbrëmë më 16 tetor 2021 në orët e vona, janë arrestuar katër persona në Kllokot, me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., në lidhje me procesin zgjedhor dhe me këtë dyshohet se kanë kryer veprat penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i KPRK-së dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i KPRK-së.

Burimet e IndeksOnline brenda prokurorisë kanë thënë se në mesin e të arrestuarve në flagrancë janë tre serbë dhe një shqiptar.

Siç mëson IndeksOnline, shqiptari i arrestuar është i dyshuar për shitje të votës ndërsa të prangosur janë edhe djali i kandidatit të listës serbe për kryetar të Kllokotit, djali i njërës prej kandidates për asamble komunale të Kllokotit po ashtu nga Lista Serbe dhe një serb tjetër.

Tre serbët dhe shqiptari që e shiti votën, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për ç’do rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor./IndeksOnline/

Leave a Reply