Riola Susuri, ylli në ngritje në piano

0
102

Tash e sa vite prej që jemi shtet i pavarur, ambasadorët më të mirë nga vendi ynë në botë kanë qenë kultura dhe sporti. Sukseset e njerëzve që vijnë nga këto sfera padyshim se na gëzojnë të gjithë neve dhe na bëjnë krenarë.

Një tjetër talente nga Kosova, që duket se po e ndërton kujdesshëm karrierën e saj, është edhe Riola Susuri. Ajo është  11-vjecare dhe është një pianiste mjaft e zonja.

Riola tashmë është në garë për piano në organizimin që po mbahet në formë virtuale nga shteti i Polonisë. Gara ka filluar nga dita e sotme dhe vlerësimi përfundimtar nga një juri tejet profesionale do të bëhët i ditur më 25 shkurt.

I kontaktuar nga Familja jonë, babai i Riolës, Rrahim Susuri, shprehet jashtëzakonisht i kënaqur me sukseset e vajzës së tij. Ai gjatë kësaj interviste na tregoi edhe për hapat e parë të karrierës së Riolës, si dhe cmimet që ajo ka fituar si një pianiste e dalluar nëpër vende të ndryshme ndërkombëtare.

“Riola ka filluar të mirrej me piano qysh prej moshës katër vite e gjysmë. Përreth tre vite ajo ndoqi mësimet në këtë drejtim në një kurs privat, ku shkonte dy herë në javë te një profesor me emrin Naser Susuri. Pasi ky i fundit pësoi e ndërpreu punën e tij, u detyrova ta regjistroj në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren. Riola po ashtu është edhe nxënëse e klasës së gjashtë në shkollën “Emin Duraku”, pra i ndjek mësimet në të dy shkollat. Riola ka marrë pjesë në shumë gara vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Për shkak të pandemisë, disa gara zhvilloheshin online”, theksoi ai për Familja jonë.

Susuri tregon se Riola ka fituar disa cmime në Ukrainë dhe Tiranë, duke qenë po ashtu edhe pjesëmarrëse në shumë ngjarje kulturore të kësaj natyre në Amerikë dhe Austri.

Pjesëmarrja në garat e tilla ka qenë me pagesë, shpenzime të cilat janë paguar gjithnjë dhe vetëm nga Susuri. I pyetur nëse ka pasur ndonjëherë ofertë nga qeveria për mbulim të shpenzimeve, ai u përgjigj që, përkundër kërkesës nga vetë ai, nuk ka pasur kurrfarë interesimi nga autoritetet kosovare ta paguajnë qoftë edhe ndonjë shpenzim elementar.

“Asnjëherë. Kam bërë kërkesa, por asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga ata. Prej moshës 4-vjecare e deri në moshën 11-vjecare, sa është tash Riola, të gjitha shpenzimet e garave i kam kryer unë personalisht, pa ndihmën e askujt”, shtoi Susuri.

Ndihmë financiare iu është ofruar vetëm nga Kuvendi Komunal, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, ku i kanë ofruar 1 mijë euro, pasi Riola kishte për të shkuar në Gjenevë në garë, vend në të cilin mori vendin e tretë, por që nuk arritën të shkonin shkaku i pandemisë.

Riola tashmë është në garën e realizuar nga shteti i Polonisë, ku vlerësimi përfundimtar do të publikohet më 25 shkurt. Në këto momente, pritshmëritë e familjarëve të saj dhe të gjithë shqiparëve janë të larta.

Duke e parë suksesin e Riolës në piano, ishte me interes të dihej nëse dikush nga familjarët e saj ka ushtruar këtë profesion.

“Unë jam gazetar, kurse gruaja ime është motër medicinale, cka tregon se talenti i Riolës për piano nuk është trashëguar”, deklaroi babai i Riolës kur u pyet për këtë.

Tashmë kur kanë mbetur edhe shumë pak kohë që ta kuptojmë vlerësimin e Riolës, një gjë është shumë e sigurt: Ajo është në rrugën e duhur për t’u bërë një yll në piano.

Sukseset e Riolës, përvec familjes së ngushtë, padyshim se iu atribuohen edhe profesoreshës së pianos, Besarta Guri-Bobaj, për të cilën prindërit e Riolës janë shumë falënderues dhe mirënjohës në raport me punën e palodhshme që ajo po bën me vajzën e tyre./familjajone

Leave a Reply