Blerina Mati, sinonim i gruas së suksesshme

0
486

Kurioziteti i madh si fëmijë dhe dëshira për të eksploruar, e kanë bërë sot, Blerina Matin, një vajzë shembull, që duhet të ndiqet nga gratë e vajzat kosovare. Znj Mati është themeluese dhe udhëheqëse e kompanisë “B IDEAS & B SPORTS” si dhe Nënkryetare e Federatës së Tenisit të Kosovës.

Në një bashkëbisedim me Radio KFOR-in, ajo tregoi që kurioziteti dhe interesi për botën mediale, e ka shtyrë që studimet t’i kryejë në drejtimin Marketing, në Universitetin e Prishtinës dhe drejtimin Menaxhment në Kolegjin Riinvest dhe shtoi: “Profesionalisht kam startuar në vitin 2012, në njërën prej kompanive më të mëdha dhe më të suksesshme në vend, nga ku eksperienca 7 vjeçare dhe karakteri energjik që e kam, më kanë hapë shumë dyer. Bashkëpunimet e vazhdueshme me agjencionet më të mëdha të marketingut në vend, gjatë periudhës 2012 – 2017, më kanë shtyrë që të krijoj në mendje një koncept ndryshe nga të tjerët. 6 muajt e parë të biznesit që themelova, kanë qenë provë dhe sfidë e imja në raport me biznesin dhe kam filluar që të ofroj shërbime të marketingut dhe reklamimit online nga shtëpia me një llaptop.

Derisa në vitin 2018 kishim klientin e parë ndërkombëtar të ‘B IDEAS’, që është fabrika dhe laboratori i analizave, në Izmir të Turqisë, sot numërojmë klientë nga shumë vende të botës.” Krahas biznesit të saj të marketingut, Znj. Mati është edhe nënkryetare e Federatës së Tenisit të Kosovës (FTK), përbërja e ekipeve të së cilit është shumetnik: “Nënkryetare e FTK- së, jam nga marsi i 2021-tës dhe ky angazhim ishte i papritur për mua. Ftesa më erdhi nga presidenti aktual, i cili për mua ka qenë fillimisht trajner i tenisit, në kohën kur unë isha e angazhuar si tenisere dhe luaja profesionalisht në periudhën 2002 – 2007. Duke parë rëndësinë dhe efektin që ka lënë sporti i tenisit tek unë, vendosa që ta pranoj këtë ftesë për vetëm një qëllim, që të kontribuoj me eksperiencën time profesionale dhe të zhvillojmë imazhin e sportit të tenisit, tju tregojmë rëndësinë e sportit dhe të jemi motiv për gjeneratat e reja.

Durimi, reagimi, mirësjellja dhe qëndrimi, janë ato që i mësojmë dhe i kultivojmë nga sporti, veti që sot më pasurojnë edhe mua.” Angazhimi në të dyja fushat është sfidë thotë Znj. Mati, megjithatë dashuria për të dyja e bënë të ndjejë pasion, vullnet, e të kalojë në sfida dhe gjithmonë të sjell diçka të bukur, ndërsa të gjitha vajzat e gratë ajo i inkurajon që të ndjekin ëndrrën e tyre: “Mos i mbani ëndrrat brenda, jetësojini dhe luftoni për to çdo ditë. Është rrugë e gjatë dhe me shume sfida, por ju siguroj që çdo herë do të sillni një fund të bukur. Sigurohuni që të keni energji të mirë dhe pozitive rreth vetes dhe të mos harrojmë që fuqizimi i grave dhe vajzave është parakusht për sigurimin e një mirëqenie shoqërore dhe bashkë, ne mund ti luftojmë pabarazitë dhe të jemi të barabartë me të gjithë”, tha për Radio KFOR-in, znj. Blerina Mati.

Leave a Reply