Materiali i ri i fashës që nuk ngjitet në gjak dhe e mpiks atë

0
350

Ekziston një problem me shumicën e fashave, për shkak se ato rëndom ngjiten në plagë derisa ajo të shërohet dhe mund ta rihapin atë kur të hiqen. Megjithëkëtë, një fashë e re nuk ngjitet në plagë, ndërkohë që ndihmon në ndalimin e gjakderdhjes. Materiali në fjalë u krijua pak a shumë rastësisht.

Shkencëtarët nga Instituti hulumtues shkencor i Zvicrës “ETH Zurich” dhe Universiteti Kombëtar i Singaporit kanë filluar zhvillimin e shtresave superhidrofobike (të papërshkueshme nga lëngu) për pajisjet mjekësore, siç janë kateterat, të cilat do ta pengonin gjakun ose lëngjet e tjera që të mos ngjiteshin në to. Papritur, një nga substancat që ata i zhvilluan gjithashtu dëshmoi se ndihmon në koagulimin e gjakut.

Shtresa në fjalë përbëhet nga nanofibrat e silikonit dhe karbonit, dhe aplikohet në garzën e zakonshme prej pambuku në mënyrë që të krijohet materiali i fashës. Ky material e zmbraps gjakun, por gjithashtu e shkakton edhe mpiksjen e gjakut brenda vetëm disa minutave prej kontaktit. Mekanizmi i mpiksjes ende nuk është kuptuar plotësisht, megjithëse shkencëtarët dyshojnë se nanofibrat e karbonit janë të përfshira.

Për më tepër, materiali ka efekt antibakterial, pasi që bakteret kanë vështirësi të ngjiten në sipërfaqen e tij.

Derisa disa prej fashave prototipe tashmë janë testuar me sukses në minj, hulumtuesit kanë theksuar se teknologjia duhet të zhvillohet më tej përpara se të provohet në njerëz. Megjithatë, me kohë mund të sjellë mjaft ndryshime në fushën e kujdesit shëndetësor.

“Me materialin e ri superhidrofobik, mund ta shmangim rihapjen e plagës kur e ndërrojmë fashën”, kanë thënë hulumtuesi postdoktoral nga “ETH”, Athanasios Milionis. “Rihapja e plagëve është një problem i madh, kryesisht për shkak të rrezikut prej infeksioneve, përfshirë nga mikrobet e rrezikshme spitalore – një rrezik ky që është veçanërisht i lartë gjatë ndërrimit të fashave”.

Një punim mbi studimin, i cili po udhëhiqet nga profesori Dimos Poulikakos nga ETH, është publikuar kohë më parë në revistën “Nature Communications”.

Leave a Reply