SHBA-ja nga Tirana jep mesazhin e fuqishëm për kufijtë e Kosovës

0
315

Gjatë një vizite në Shqipëri, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë, Escobari, i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, temë diskutimesh e ka pasur edhe Kosovën, krahas atyre për politikën në Shqipëri. Kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit me të ka potencuar se me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit kishin gjetur mirëkuptim për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës

Përkrahjen amerikane për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës e ka ritheksuar të enjten në Tiranë Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm për Ballkanin i Departamentit amerikan të Shtetit.

Gjatë një vizite në Shqipëri, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë, Escobari, i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, temë diskutimesh e ka pasur edhe Kosovën, krahas trajtimit të çështjeve aktuale politike në Shqipëri.

Mirëkuptimin Shqipëri-SHBA rreth kësaj çështjeje e ka potencuar në një konferencë pas takimit kryedemokrati Basha.

“Diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptar, natyrisht edhe për situatën në rajon, me theks të veçantë, sigurisht për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën. Këtu ia bëra të qartë z. Escobarit qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas pakos Ahtisaari, që çojnë në pavarësinë e Kosovës dhe në përputhje me angazhimet që të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur t’u raportoj se në këtë qëndrim që paraqita, kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar”, ka thënë ai.

E Escobari në konferencën pas takimit është përqendruar te luftimi i korrupsionit në Shqipëri. Ka thënë se ai duhet të jetë një angazhim i vazhdueshëm i institucioneve shqiptare.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Tiranë, është vizita ime e parë në Shqipëri dhe më kanë rezervuar një mikpritje shumë të ngrohtë. Isha gjithashtu i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, integrimit evropian dhe luftës ndaj korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, si sanksionet. Por për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare. Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD-në, përfshirë takimin sa më të shpejtë të z. Bashës në Washington”, ka thënë ai.

Kosova dhe rëndësia e dialogut me Serbinë është përmendur ndërkaq gjatë takimit që emisari amerikan ka pasur me kryeministrin Edi Rama. Rama ka shkruar në Facebook se në këtë takim kanë diskutuar edhe për “Ballkanin e Hapur”, të cilën e ka quajtur “nismë transformuese për ardhmërinë e rajonit dhe të cilën administrata e presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht”.

“Kënaqësi të mikprisja zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA-së, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe ‘Ballkanin e Hapur’, si një nismë transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht”, ka shkruar ai.

Takim 50-minutësh gjatë pasdites Escobari ka zhvilluar me kryediplomaten e Shqipërisë. Olta Xhaçka, pas takimit të mbajtur në ambientet e Ministrisë së Jashtme, ka bërë të ditur se të dërguarit amerikan ia ka shprehur përkushtimin e Shqipërisë për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. “Shqipëria është e përkushtuar për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët për agjendën e rajonit”, ka shkruar kryediplomatja Xhaçka nëpërmjet një postimi në Facebook./Koha

Leave a Reply