Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me ceremoni zyrtare nga Guverantorja e Iowa-s, Kim Reynolds.
Në platformën X, guvernatorja Reynolds ka shpërndarë një fotografi së bashku me presidenten Osmani, pas takimit.
“Mirë se vini në Iowa, Presidente Vjosa Osmani. Më e mira nga kjo marrëdhënie e jashtëzakonshme mes Iowa-s dhe Kosovës është ende për të ardhur!”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.
Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi Guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë. /Reporteri