Rektori Nimani me bashkëpunëtorë po marrin pjesë në punëtorinë e projektit ResearchCult në Zagreb të Kroacisë

0
236

Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr. Artan Nimani, i shoqëruar nga prorektorja, prof. ass. dr. Laura, prof. asoc. dr. Lulzim Zeneli, Sekretarja e Përgjithshme, znj. Linda Dula Halilabazi, nga data 30 nëntor deri më 03 dhjetor 2021, po marrin pjesë në punëtorinë “Rritja e Kulturës Kërkimore në Arsimin e Lartë në Kosovë”, të projektit ResearchCult, e cila po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.

Nikoqir i kësaj punëtorie është Universiteti i Zagrebit, rektori prof. dr. Damir Boras. Pjesëmarrës në punëtori janë edhe përfaqësues të institucioneve partnere të projektit, prof. dr. Alush Musaj, rektor i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Mihone Keroli, drejtoreshë e Kolegjit IBC-M, nga MAShTI, zv. ministrja, znj. Edona Maloku Berdyna, ku do të kenë mundësinë të ndajnë praktikat e tyre më të mira në lidhje me procesin e hulumtimit brenda institucioneve të tyre, si dhe të diskutojnë rreth zhvillimit të projektit ResearchCult deri më tani.

Gjatë këtyre ditëve të punëtorisë do të zhvillohen 6 sesione, ku trajtohen çështjet për shkëmbimin e partnerëve dhe progresit rreth krijimit të revistës shkencore dhe aksesit të hapur-platforma kërkimore, organizimi i seminarit mbi themelimin e revistës shkencore dhe udhëzimet për zhvillimin e standardeve kombëtare për revistat shkencore, për shkëmbimin e partnerëve dhe progresit rreth krijimit të platformës kërkimore me akses të hapur – progresi i themelimit të Sistemit Informativ Kërkimor të Kosovës (SIKK), diskutime për rregullat dhe praktikat për titujt akademik/shkencor dhe promovim, si dhe në ditën e fundit do të mbahet takimi përmbyllës në Universitetin e Zagrebit.

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë është partner i projektit ResearchCult, që financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+ dhe i koordinuar nga IBC-M. Ky projekt ka për qëllim të mbështesë forcimin e kulturës së kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë duke mbështetur forcimin e politikave dhe praktikave ekzistuese, si dhe krijimin e rregulloreve dhe mekanizmave të rinj.

Leave a Reply