Rashiq: Në momentin që miratohet Asociacioni, institucionet në Serbi shuhen

0
194

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të shuhen institucionet e Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për Radio Kim, Rashiq ka thënë se ende nuk është parë versioni origjinal i draft statutit për Asociacionin, por sipas tij, sido që të quhet [Asociacion apo vetëqeverisje], do të lidhet dukshëm me punën e kryeministrit.

“Jam i sigurt se do të ketë shumë më shumë shtesa në proces. Unë, për shembull, nuk e kuptoj se çfarë do të thotë kjo, po jap vetëm një shembull, çfarë do të thotë kujdesi shëndetësor privat serb apo kujdesi shëndetësor i pavarur serb? Do të doja shumë që dikush të ma shpjegonte këtë. Dhe përveç kësaj, thuhet se pika e dytë apo e tretë është se shërbimi shëndetësor dytësor që tashmë ekziston është vendosur nën rubrikën e shëndetësisë private serbe. Pra a është privat apo është shëndetësor, i cili tashmë ofrohet nga niveli dytësor të menaxhimit në institucionet e Kosovës. Ndaj edhe pse dokumenti nuk është i besueshëm, dikush ka bërë shumë përpjekje, pasi shihet se ka shumë pika shumë pragmatike dhe të sakta që i referohen fushave të caktuara strukturore që janë brenda institucioneve”, ka thënë ai.

Rashiq thotë se Asociacioni u paraqitet serbëve si diçka e madhe, por që nuk do t’i ngjajë në diçka të tillë.

“Prezantohet sikur do të jetë ndonjë institucion që do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona, por për mendimin tim nuk është aspak kështu, përveç se do të ketë një kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë”, thekson ai.

“Në momentin që kjo të ndodh, të gjitha institucionet, jo vetëm disa, por të gjitha institucionet që financohen nga buxheti i Serbisë, thjesht janë të mbyllura ose do të mbyllen. Disa thonë se metoda më logjike apo supozimi më logjik në këtë rast është që të gjitha këto institucione që tani financohen nga Serbia thjesht të transferohen në këtë institucion që më vonë mund të quhet Asociacioni i Komunave Serbe dhe kështu t’u jepet mundësia që ato të mund të funksionojnë në rrugë ligjore për institucionet kosovare nën kujdesin apo patronazhin siç është në këtë rast të Asociacionit”.

Ndryshe, një draft statut i Asociacionit u publikua së fundi nga ish-drejtuesi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, sipas të cilit duhet të sigurohet një kornizë vetëqeverisëse për serbët brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale sipas ligjeve të Kosovës – kryesisht në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, financim, donacione e të ngjashme.

Leave a Reply