“Që nga fillimi i pandemisë janë shpërndarë 1500 lajme të rreme në Kosovë”

0
477

Që nga shfaqja e rasteve të para të personave të infektuar me korona virus në Kosovë, ka pasur shtim të lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Në rrjete sociale, media e portale po qarkullojnë lajme të rreme rreth prejardhjes së virusit, dhe zhvillimeve gjatë kësaj “beteje”, në të cilat në të shumtën e rasteve po mungon edhe burimi. Vetëm në Kosovë për 37 ditë, ekspertët e sigurisë kibernetike kanë identifikuar 1500 lajme të rreme.

Të njëjtit u bëjnë thirrje mediave që të kenë kujdes për atë që publikojnë gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të mos krijohet panik.Mentor Hoxhaj, kryesues i Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi tha për KosovaPress se nga fillimi i përhapjes së koronavirusit ka pasur një numër të madh të lajmeve të rreme që janë përhapur.

“Ne kemi identifikuar deri tani mbi 1500 lajme të rreme, të cilat janë duke qarkulluar. Ekzistojnë edhe një numër tjetër shumë i madh i lajmeve të rreme, të cilat janë duke qarkulluar. Po flasim për lajmet për të cilat ne kemi arritur t’i identifikojmë dhe ato lajme për të cilat kanë arritur te ne. Numrin e saktë të lajmeve të cilat janë trajtuar, ne mund të marrim vesh deri në fund të pandemisë kur ne do të bëjmë një analizë dhe do të paraqesim faktet, të cilat do të shërbejnë për të ardhmen”, tha ai.

Hoxhaj thotë se 1500 lajme të rreme janë identifikuar për 37 ditë, nga 13 marsi, kur kanë filluar të identifikohen rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Drejtuesi i Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi bën të ditur se mbrëmë kanë hapur grupin e ashtuquajtur “ Cyber Security and Privacy Group”, i cili po ndihmon në identifikimin e këtyre lajmeve.

“Është me kërkesën e personave të cilët na kanë mbështetur. Dhe kanë kërkuar që ne ta krijojmë një grup, dhe e kemi hapur mbrëmë, dhe tani jemi duke i shënuar njerëzit që janë duke ardhur…Në këtë kohë pandemia që sigurisht ka pasur dhe ka një impakt shëndetësor. Sa i përket impaktit politik dhe shpërndarjes së lajmeve të rremes dhe videove të cilat janë përmendur është një kontribut të impaktit politik, të cilat shtyhen nga propaganda dhe inteligjenca të cilës nuk ia donë të mirën Kosovës dhe as mikut të ShBA-së”, tha Hoxhaj.

Tash e një muaj, Hoxhaj tregon se kanë bërë edhe një hulumtim të impaktit ekonomik, ku Kina si një vend i burimit të infeksionit, është duke tentuar të krijojë një imazh për investime të mundshme. Ai u ka bërë apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim.

“Qytetarët janë mjaft të bombarduar dhe të frikësuar sa i përket Covid-it dhe sa i përket lajmeve që janë të ndërlidhura me fake news dhe që kanë të bëjnë me luftën me të cilën po flitet që mund të bien, dhe që prapa tyre nuk kanë asgjë, por vetëm klikime duke tentuar që njerëzit të klikojnë dhe disa persona për të fituar para”, tha Hoxhaj.

E sipas tij, sfida më e madhe është në rastet kur edhe mediumet që konsiderohen serioze i botojnë ato, e që pastaj krijohet huti te lexuesit.

“Çdo lajm i cili është tepër ekstrem është një flamur i kuq, i cili duhet të ngrihet. Çdo lajm i cili kërkon që ju të shpërndani, edhe ai është një lajm i kuq, ku ju duhet të kini kujdes. Lajmet të cilat nuk kanë autorë, janë po ashtu lajme të cilat janë fake news në pjesën dërmuese të tyre. Këto janë tri këshilla të cilat ne i kemi konsideruar dhe hasur gjatë këtyre 40 ditëve”, shprehet ai.

COVID-19 ka prekur edhe Kosovën, ku më 13 mars janë shënuar rastet e para. Sot numri i të prekurve është 604, prej tyre 128 janë shëruar, dhe 18 kanë vdekur.

Leave a Reply