Pse administrata e Trump po insiston në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

0

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke punuar për të arritur një marrëveshje paqësore mes Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje kjo që pritet të kurorëzohet në një takim të përbashkët në Shtëpinë e Bardh të presidenteve Thaçi dhe Vuçiq me Presidentin Trump në Uashington.

Ishte, vet Presidenti Trump ai i cili u dërgoi letra dy presidentëve, përkatësisht Thaçit dhe Vuçiqit, duke konfirmuar zotimin e kësaj administratë amerikane që në mënyrë substanciale do të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emrush Ujkani për Indeksonline thotë se SHBA gjithmonë ka pasur një qasje të tillë ndaj kësaj cështje.

Sipas tij, SHBA-ja mund të jetë e vetmja alternativë që përfundimisht të përmbull këtë proces.

“Fakti qe Administrata Trump po del të jetë më e zëshme në arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe detyruese me Serbinë është për tu mirëpritur, por unë gjykoj qe SHBA-të gjithmonë kanë pasur një qasje të tillë ndaj kësaj çështje”, thotë Ujkani.

Ai tutje ka theksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk është që ka dhënë shumë rezultate në procesin e dialogut dhe vetëm sa e ka dëmtuar Kosovën.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk është që ka dhënë shume rezultate dhe një proces i tillë mendoj që më së shumti e ka dëmtuar Kosovën pasi që paralelisht me dialogun e zhvilluar ne Bruksel, Serbia ka vazhduar me qasjen e saj agresive në të gjitha forumet rajonale, ndërkombëtare dhe pothuaj se e gjithë diplomacia e saj ka qenë e orientuar për ta dëmtuar ose penguar ecjen përpara të shtetit të Kosovës Ne këto rrethana gjykoj që SHBA-ja si çdo here tjetër janë alternative e vetmja qe përfundimisht mund ta përmbyllë një proces të tillë në mënyrën tashmë të bërë publike për opinionin”, ka thënë mes të tjerash ai.

Në anën tjetër, edhe analisti politik, Donik Sallova në një prononcim për Indeksonline ka thënë duke qenë Kosova investim i madh amerikan dhe rajon i rrezikuar nga influenca ruse, administrata amerikane po synon t’i jap një zgjidhje përfundimtare orientimit perëndimor të rajonit, duke përfshirë edhe Serbinë.

“…kështu, shtegu i Serbisë si duket do të jetë Kosova, sepse me zgjidhjen e këtij problemi Serbisë do t’i garantohet anëtarësim i shpejt ne BE, ndërkaq Kosova do te subjektivizohej e sovranizohej përfundimisht ndërkombëtarisht”, ka thënë Sallova.

Por se cili do të jetë çmimi i kësaj marrëveshje, Sallova thotë se më se shumti do ta paguaj Kosova.

“Besoj më se shumti atë do ta paguaj Kosova, në kuptimin qe duke qenë shteg për Serbinë, Serbisë do t’i jepet ajo çfarë pretendon në Kosovë, në këtë rast veriun. Unë nuk besoj qe amerikanet do të investojnë në ide si Asociacioni të cilat do ta vazhdonin disfunksionalitetin e shtetit te Kosovës dhe do ta thellonin ndarjen e Kosovës pas 10 apo 15 vitesh, kur serbet do te konsolidoheshin akoma me shume brenda Asociacionit”, ka shtuar mes të tjerash Sallova.

Kjo është administrata e pestë amerikane, e cila në harkun kohor 1992 – 2018 (që nga administrata e presidentit të parë Bush), për 26 vjet rresht është preokupuar me Kosovën.

Për më shumë, Uashingtoni ka luajtur rol vendimtar, në partneritetin me Aleancën Veriatlantike, në vitin 1999, në çlirimin e Kosovës, pas dështimit të Konferencës së Rambouilletit, dhe më pas SHBA-ja në bashkëpunim me BE-në, ka qenë faktori kyç për krijimin e shtetit të Kosovës, në procesin e Vjenës të prirë nga presidenti Ahtisaari./Indeksonline/