Prizren: Mjetet financiare për shujtat e nxënësve orientohen te pakot ushqimore për nevojtarët

0
505

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë bërë të ditur se në kategorinë buxhetore për mallra e shërbime aktualisht ka mjete financiare për menaxhimin e situatës momentale me pandeminë COVID-19.

Madje, kanë theksuar se mjetet e planifikuara për shujtat e nxënësve tani po orientohen për sigurimin e pakove ushqimore e higjienike për rastet sociale dhe të vetizoluara.

Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, disa këshilltarë kanë paraqitur kërkesa për mbështetjen e rasteve sociale dhe në nevojë me pako ushqimore e higjienike, për shkak të situatës së krijuar me përhapjen e sëmundjes COVID-19, raporton KOHA.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka sqaruar se në këtë situatë rastet sociale dhe të vetizoluara po përkrahen me pako ushqimore dhe higjienike, gjë për të cilën nuk ka ende nevojë për bartje të mjeteve nga investimet kapitale.

“Sa do të zgjasë kjo gjendje ne duhet të vazhdojmë t’i ndihmojmë familjet me këto pako. Por, ne nuk kemi pasur nevojë t’i ndalim investimet kapitale, t’i bartim në mallra e shërbime, ngase shumë shërbime që i kemi planifikuar sivjet për disa gjëra nuk kemi mundur t’i implementojmë për shkak të pandemisë. Po e marr vetëm si shembull, shujta ushqimore për nxënësit në shkolla nuk ka momentalisht. Shkollat nuk po mbahen dhe të gjitha ato fonde drejtpërdrejt po i kanalizojmë në pako”, ka thënë Haskuka gjatë seancës së jashtëzakonshme.

Ndërkohë, gjatë diskutimit për propozimin për bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga të hyrat vetjake të vitit 2018 dhe 2019 në vitin 2020, Haziz Hodaj i LDK-së ka kërkuar që Drejtorisë së Mirëqenies Sociale t’i akordohen më shumë mjete, pasi që ende nuk dihet se sa do të zgjasë gjendja me pandeminë.

Por, kryetari Haskuka ka siguruar kuvendarët se momentalisht në kategorinë mallra e shërbime ka mjaftueshëm fonde. Këshilltari i AAK-së, Alush Shala, ka kërkuar që të shpaloset shuma e këtyre fondeve.

Haskuka ka theksuar se bëhet fjalë për 700 mijë euro vetëm nga shujtat për nxënësit. “Për shujtat në shkolla ne i kemi planifikuar diku 700 mijë euro. Ato i kemi, se shkollat nuk do të mbahen me siguri deri në qershor. Deri në qershor i kemi prej atyre boll mjete edhe për pako ushqimore edhe për gjëra tjera që mundemi t’i akomodojmë”, është shprehur udhëheqësi i qeverisë lokale.

Leave a Reply