Prizren: “Kope” dhe “N’Agim” për traditën e trashëgiminë kulturore

0

Se tradita e trashëgimia kulturore mund të jenë burim frymëzimi për punë artistike e dëshmojnë dokumentarët e shkurtër, “Kope” dhe “N’Agim”. Për më tepër – dy dokumentarët të pas premierave në Prizren, në fund të vitit të kaluar, të mërkurën mbrëma në Kino Armata janë shfaqur për herë të parë për publikun në kryeqytet – vijnë si thirrje për rivlerësim të tyre.

“Kope” i regjisorit prizrenas Bariș Karamuço hapet me pamje mbresëlënëse nga Malet e Sharrit dhe mënyra se si organizohet jeta atje. Për shumë kope delesh përkujdesen blegtorët, që jetojnë në ato vise, nga to marrin djathin shumë të njohur të Sharrit, i cili përtej produktit përthekon edhe traditën.

Prej këtu rrëfimi për trashëgiminë nga ajo bujqësore kalon te ajo kulturore e shpirtërore të qytetit të Prizrenit, ku një promotor i rëndësishëm i saj ka qenë shoqëria kulturo-artistike “Agimi”, e cila në nëntor të këtij viti shënon 75-vjetorin e themelimit.

Por “N’Agim” i Malbora Krajkut sjell rrëfimin për 20 vjetët e parë të funksionimit të kësaj shoqërie.

Një prej personazheve të dokumentarit është edhe aktorja Leze Qena, e cila shpalos kujtimet e saj. Të përbashkëta në rrëfimin e secilit nga protagonistët janë mirënjohja e krenaria që kishin qenë pjesë e “Agimit” dhe programeve të tij të larmishme. Pamjet arkivore sjellin aktivitetet e dikurshme që për atë kohë ishin kryesoret që mbanin gjallë trashëgiminë shpirtërore të qytetit të Prizrenit.

Dy regjisorët, pas shfaqjes së filmave, kanë shpalosur rrëfimin e tyre prapa dokumentarëve e u janë përgjigjur pyetjeve të publikut.