Prindërit e nxënësve në “Loyola” në Prizren kërkojnë kthimin e jezuitëve në menaxhment

0
138

Këshilli i Prindërve të shkollës fillore “Loyola” në Prizren ka kërkuar nga Bordi i Asociacionit Loyola-Gymnasium (ALG) “Loyola” kthimin pa kusht në këtë organ dhe në krye të menaxhmentit të shkollës përfaqësuesit e bashkësisë jezuite nga tri provincat gjermane, austriake dhe kroate.

këshill ka bërë të ditur se peticioni me këtë kërkesë është nënshkruar nga 70 për qind të prindërve të nxënësve të shkollës fillore “Loyola”, që vepron në ndërtesën në kuadër të kompleksit të Kishës Katolike në Prizren, transmeton Koha Ditore.

“Pas ndryshimeve të bëra në menaxhmentin e ALG-së ‘Loyola Gymnasium’, ku themeluesit e shkollës, Bashkësia Jezuite e tri provincave gjermane, austriake dhe kroate janë dorëhequr, ne, Këshilli i Prindërve i shkollës fillore ‘Loyola’, kemi mbajtur takim me prindërit dhe kemi dalë me qëndrimin që t’i drejtohemi Bordit të ALG-së me peticion me një kërkesë të vetme: kthimin e pakusht në Bord dhe në krye të menaxhmentit të shkollës të jezuitëve nga provincat e lartcekura.

Kërkojmë që ky peticion, që është nënshkruar nga rreth 70 për qind e prindërve, të merret parasysh dhe të shqyrtohet kërkesa në afatin sa më të shkurtër të mundshëm”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Prindërve.

Në të kundërtën, ky Këshill ka pohuar se me prindërit do t’i përshkallëzojë veprimet deri në protesta e largim të fëmijëve nga kjo shkollë.

Asociacioni Loyola-Gymnasium (ALG), në mesin e muajit prill pati njoftuar se ka ndodhur ndryshimi i papritur në udhëheqjen e këtij asociacioni. Në vend të drejtorit, Axel Bodefeld, udhëheqja i ishte besuar Fadil Hamzajt, si kryetar i Këshillit të Prindërve. Shkarkimi i Bodefeldit prej shumicës së anëtarëve të shoqërisë bartëse të ALG-së në pjesën e parë të prillit pati bërë që jezuitët e Austrisë, Gjermanisë dhe Kroacisë të tërhiqen nga ALG-ja.

Në javën e katërt të muajit prill pati reaguar edhe dioqeza Prizren-Prishtinë, nëpërmjet vikarit të përgjithshëm të saj, Dr. Don Shan Zefi, në lidhje me situatën e krijuar në Loyola Gymansium në Prizren, me ç’rast i bënte thirrje pjesës aktuale të Bordit, “që të reflektojë sa më parë dhe urgjentisht të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Bordit, në mënyrë që të rishqyrtojë votën e mosbesimit ndaj drejtorit të përgjithshëm dhe të kërkojë rikthimin e Etërve Jezuitët në shkollë”.

Leave a Reply