Pjesët e larta të Prizrenit përballen me presion të ulët në furnizimin me ujë

0
316

Drejtuesit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren pohojnë se furnizimi me ujë në këtë komunë është i mirë, megjithëse pranojnë se në pjesët e larta të qytetit mund të ketë presion më të ulët. Sipas tyre, një gjë e tillë vjen si pasojë e rënies së nivelit të ujit në burimet, të cilat mundësojnë furnizimin me rënie të lirë. Ndërkohë, kjo kompani nuk përjashton edhe mundësinë e reduktimeve të pjesshme në rast të mungesës së reshjeve atmosferike.

Banorë të lagjeve të ndryshme në Prizren kanë shprehur shqetësimin lidhur me furnizimin me ujë të pijes gjatë muajve të fundit. Sipas tyre, edhe nëse ka ujë, presioni është i ulët, që pamundëson funksionimin normal të amvisërive.

“Shtypja është e ulët sa që në katet e mësipërme as që vjen uji. Edhe pompat nuk po kryejnë punë”, ka thënë Ardit Shabani nga lagjja “Bazhdarhane”.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në KRU “Hidroregjioni Jugor”, Zenel Zenelaj, përmes përgjigjes me shkrim ka bërë të ditur se furnizimi me ujë në Prizren si dhe në fshatra është i mirë, por që në disa pjesë të larta të qytetit mund të ketë ulje të presionit, për shkak të rënies së nivelit të ujit në burime.

“Furnizimi me ujë të pijes i qytetit të Prizrenit është 60 për qind me rënie të lirë, dhe tani në këto momente burimet me rënie të lirë në Prizren kanë rënie si rezultat i mungesës së reshjeve atmosferike, si pasojë e thatësisë së fundit”, ka thënë Zenelaj.

Ai ka shtuar se do të shqyrtohet mundësia edhe për aplikimin e reduktimeve të pjesshme në rast nevoje.

“Ne jemi duke bërë plane se nëse vazhdon mungesa e reshjeve atmosferike mund të kalohet në reduktime të pjesshme sipas nevojës. Por për këtë, konsumatorët do të njoftohen me kohë”, ka deklaruar Zenelaj.

Plani i biznesit 2021-2023 i KRU “Hidroregjioni Jugor” te pjesa e deklaratës politike synon furnizimin me ujë pa ndërprerje për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit.

“Të vetëdijshëm se në kushtet e tanishme kjo është një gjë e pamundur, do të vihen në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe burimet financiare që të minimizohen humbjet teknike dhe zhduken në tërësi humbjet administrative të ujit nga njëra anë dhe të maksimalizohen të gjitha aktivitetet lidhur me rritjen e shkallës së arkëtimit. Prandaj është një prioritet i përcaktuar zvogëlimi i sasisë së ujit pa të ardhura dhe pagesa për shërbimet. Përmes këtyre aktiviteteve në të ardhmen do të krijohen kushte të favorshme për rritjen e nivelit të investimeve nga burimet vetjake”, shkruan në këtë dokument.

Ndërsa te pjesa e planit të investimeve kapitale theksohet se përmirësimi i shërbimeve do të ndikojë edhe në përmirësimin e moralit të pagesave te konsumatorët.

“Në bazë të analizës dhe gjendjes momentale që kemi në terren, ne kemi përcaktuar prioritetet e investimeve në nivel të kompanisë – njësive punuese. Këto prioritete janë të domosdoshme ngase: përmirësohet dukshëm furnizimi me ujë; përmirësohet cilësia e ujit dhe shtypja konform standardeve në fuqi; zvogëlohen humbjet teknike dhe komerciale; shtohet numri i konsumatorëve të rinj; zvogëlohen shpenzimet operative të mirëmbajtjes; rritet shtimi i shërbimeve të kompanisë; evitohet mundësia e ndotjes së ujit të pijes nga ujërat e zeza”, thuhet aty, duke shtuar se plani i investimeve për periudhën 2021-2023 është bazuar në mundësinë e donacioneve dhe mjetet vetjake të kompanisë publike./Koha

Leave a Reply