Për Ilir Kolgecin fusha e artit është frymëzim pasionant i jetës së tij

0
1205

Si mund të kultivohet dashuria për artin, në një kohë kur bota është e mbushur me probleme të shumta, është njëra ndër pyetjet që dëgjojmë shpesh. E si duket pikërisht kompleksiteti që na reflekton jeta, na predispozon që artin me shumë ngjyra ta kultivojmë në dimensione të ndryshme, deri te ai abstrakt. Të mbushur plotë bukuri, pasion e dashuri.

Dhe, pikërisht këtë e bëjnë artistët e vërtetë, njëjtë sikur arrin ta bëjë artisti më me zë aktualisht në Prizren, Ilir Kolgeci. Nëse kalimthi i shikojmë punimet e tij të pikturuara, si vështures të thjeshtë kuptojmë se ai nëpërmjet artit sqaron shumë më tepër se me fjalë të zakonshme. Domethënë, për Ilirin arti është dashuri, jo një dashuri e zakonshme, është e pakufijshme.

“Përmes Artit unë i pasqyroj të gjitha elementet e brendësisë sime subjektive, ndjehem i mbushur me energji të ndritshme motivuese dhe gjithmonë përpiqem ta dhuroj më të mirën duke reflektuar përmes artit gjërat e bukura të jetës sonë”, është shprehur Iliri për 04 Online. Dhe, nuk është aq e lehtë për ta demonstruar kompleksitetin që jeta di të ndërthur e zhvilloj brenda secilit nga ne, por këtë arrin ta shprehë më së miri Iliri në punimet e tij. Jo vetëm kaq!

Për ata që nuk e dijnë, Iliri që në fëmijëri ka shprehur interesimin e tij për pikturën dhe artin në përgjithësi. Rrugëtimi i tij ka qenë me shumë vështirësi, por kjo nuk e ka ndalur asnjëherë. Pasioni i tij për artin është rritur edhe më shumë kur ka filluar studimet në Fakultetin e Arteve.
“Me fushën e Artit e cila në thelb është infinite, e shumëngjyrshe dhe stimuluese unë mirrem qysh në fëmijëri, përkushtimi im është dyfishuar çdo herë e më tepër teksa fillova studimet në fakultetin e arteve dhe nga ajo periudhë e deri më tani jam zgjeruar në të gjitha horizontet e frymëzimit për art si pasion, dhe angazhimit tim si profesion”, shprehet Iliri.

Ai aktualisht është mësimdhënës i artit, ndërsa falë pasionit e përvojës, ka hapur edhe kursin e artit “Iliriart”, ku nuk mungojnë të rinjtë për të mësuar nga një mjeshtër i vërtetë. Kjo nuk është ekzagjerim, po flasim për një realitet që ekziston.
“Tash e 6 vite punoj si mësimdhënës i artit, pikturoj vizatime të ndryshme konceptuale, abstraksione, portrete, ilustrime librash, dhe aktualisht kam 6 muaj që e kam hapur kursin e Artit “iliriart” me lokacion e cila gjendet tek përballë “Hamamit” në qytet dhe ofron mundësi përvetësimi dhe shkathësie në pikturë e vizatim për të rinjët e gjeneratës së ardhshme të Artit, për të cilët mendoj se janë vlera e artë e kësaj fushe shumëdimensionale”, shprehet Iliri për 04 Online.

Vështirësitë për Ilirin nuk kanë munguar. Rrugëtimi i tij ka qenë shumë i gjatë, me plotë sfida, por ai të gjitha ka arritur që t’i tejkaloj. Krejt kjo falë dashurisë së madhe që ka për artin.
“Si gjithë të pasionuarit në çdo fushë edhe unë fazë pas faze kam hasur në problematika dhe vështirësi të natyrshme jetësore por të gjitha i kam tejkaluar me konsistencë e punë të pandërprerë angazhimi”, ka thënë Iliri.

Mbase, ai është i mendimit se sfidat janë ato që e forcojnë zellin e tij për avancim dhe profesionalizëm, por nuk ngurron që t’i bëjë thurrje institucioneve lokale e qendrore që të fokusohen në ngritjen e vlerave të artit në përgjithësi.
“Sfidat janë të mirseardhura sepse ato na forcojnë zellin tonë për avancim dhe profesionalizëm, andaj i bëj thirrje institucioneve lokale dhe vendore që të fokusohen në ngritjen e vlerave të artit në përgjithësi sepse mendoj që Arti simbolizon zemrën e një qyteti ose të një vendi”, shprehet Iliri.

E krejt në fund, me shumë modesti Iliri thotë se dëshrion të jetë kontributdhënës i çmueshëm i Artit në Prizren.
“Do të vazhdoj të jem një kontributdhënës i çmueshëm i Artit në Prizren e më gjërë, falenderoj familjen, miqtë e mi, rrethin tim social që më ka mbeshtetur në këtë rrugëtim”, thotë Iliri për 04 Online.

E për tu bindur për të gjitha këto që i kemi shkruar dhe i ka thënë Ilir, ju ftojmë që t’i shikoni fotografitë si më poshtë, janë vërtetë të bukura, me ta kënaq syrin./04 Online

Leave a Reply