PDK-ja në Prizren fton Prokurorinë që të filloj hetimet për tenderin e blerjes së pajisjeve mbrojtëse kundër COVID-19

0
507

Ka reaguar PDK-ja në Prizren ndaj dhënies të tenderit për blerjen e pajisjeve mbrojtëse kundër COVID-19.

Si rrjedhojë, ky subjekt politik ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prizren që të nis hetimet për këtë tender.

Reagim i plotë i PDK-së në Prizren:

“Partia Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, reagon ndaj shkeljeve të rënda, që po bëhen këto ditë, nga Qeverisja Komunale në krye me Kryetarin Mytaher Haskuka.

Me qëllim të informimit publik, PDK Dega në Prizren, reagon ndaj tenderit të fundit, të publikuar nga Komuna e Prizrenit me titull: “Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Korona virusi në komunën e Prizrenit” në shumën prej 102.040 euro. Kontrata e lidhur në fjalë, është rast shumë i rëndë, ku pos çmimeve shumë fish më të larta se sa çmimet në treg, këtu ka edhe shkelje tjera flagrante, sepse ky tender, i është dhënë një kompanie, e cila nuk është e regjistruar për ta ushtruar veprimtarinë në fjalë, për të cilin ka fituar tenderin, operatori ekonomik: “EKA TRADEING” SH.P.K. Komuna në këtë rast, ka keqpërdorur haptas me mjetet publike në këtë kohë pandemie, duke manipuluar me situatën që gjindemi.

Ky rast, i dhënies së tenderit nga Komuna e Prizrenit, përbën shkelje të mëdha dhe abuzim me mjetet financiare, të cilat janë para të taksapaguesve tanë, ku në bazë të një përllogaritje të thjesht, Komuna e Prizrenit përmes këtij tenderi, supozohet se dëmtohet me shumën prej mbi 50 mijë euro, andaj ftojmë Prokurorinë e Shtetit, që të fillojnë hetimet, për dyshime të bazuara për korrupsion dhe keqpërdorim.

Të bashkangjitur gjeni: kontratën bashkë me çmimet për produktet në fjalë, ku këto çmime janë enorme të larta, krahasuar me çmimet e tregut dhe me kontratat e lidhura deri tash nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe njoftimin për procedurë të negociuar dhe të nënshkruar, nga ana e Kryetarit të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ku vërtetohet se z. Haskuka, është direkt i involvuar, lidhur me abuzimet dhe keqpërdorimet në fjalë”, thuhet në reagimin e PDK-së në Prizren./04 Online

Leave a Reply