Vazhdon katandisja e LDK-së!

0
387

Thonë fjala e nxjerrë fjalën, shkrimi i paraprinë shkrimit, kështuqë nganjëherë edhe pa dashjen tonë, spontanisht detyrohemi të reagojmë ndaj zhvillimeve në skenën politike kosovare.

Ringritja e LDK-së nuk do të jetë e lehtë dhe as e shpejtë!

Pas katandisjes së gjatë dhe debaklit që e pesoj në zgjedhjet e 14 shkurtit të ketij viti, do të jetë e vështirë ringritja e LDK-së. Vetëm një reformim i thellë dhe i gjerë, gjithëpërfshirës dhe përmbajtësorë nga poshtë-lartë dhe anasjelltas mund ta kthejë besimin në elektoratin e zhgënjyer rugovian.

Kandidatura e përzgjedhur nga kryetari i ri i LDK-së, për të mos thënë e një adoleshenti, e një naivi politik, arkitetktit Përparim Rama, e një parashutisti të panjohur deri më tani, për qëllim e ka rrënimin në themel të LDK-së rugoviane, apo më mirë të themi, të rrënimit në themel të asaj që mbeti pa u rrënuar nga klani i RIINVEST i Isa Mustafës dhe klani i “ORA”-s së Veton Surroit!

Nëse vërtetë ka ardhur puna që të “vdesin” për së gjalli të gjithë aktivistët dhe veprimtarët e LDK-së, atëherë nderin e LDK-së në Prishtinë më mirë se askush tjetër do ta mbronte e madhja e estradës Adelina Ismaili me këngën e saj emblematike “Ushtrinë time do ta bëje me Ibrahim Rugovën”!

Ku janë themeltarët e LDK-së!?

Assesi themeltarët e LDK-së (ata që janë ende gjallë) nuk duhet të lejojnë të poshtërohen dhe turpërohen tri shkronjat e arta edhe me një humbje skandaloze në zgjedhjet e radhës në kryeqytet  (më gjasë) dhe në mbarë Kosovën!

LDK me kandidatin apartiak për kryeqytetin, i cili mburret që nuk është anëtarë partie dhe që nuk e përfaqëson këtë subjekt politik, përveq humbjes së sigurtë në zgjedhje e ka të garantuar edhe harresën e shpejtë nga elektorati rugovian.  

Kandidati i një partie politike për kryetar të Prishtinës apo së cilës komunë tjetër të Kosovës , para së gjithash duhet të jetë anëtarë partie dhe politikanë me përvojë, për shkak se posti i kryetarit të komunës është post puro politik.

Gara për Prishtinën nuk është sfilatë mode dhe as garë çiklistike, nuk është konkurs poezie dhe as tender ndërtimtarie, por garë e pastër politike, e cila kërkon shkathtësi dhe përvojë politike, e mbi të gjitha kërkon mbështetje të gjërë elektorale nga subjekti që e përfaqëson!

Ndryshe, kalibri i të propozuarit nga kryetari i LDK-së për kryetar të Prishtinës, apolitikut dhe apartiakut, arkitetktit Përparim Rama, pa qenë fare anëtarë partie, më shumë i shkon për shtati profili i kandidatit të pavarur sesa një profili partiak!

Huqja e madhe e Lumirit, e qëllimshme!

Por, për këtë fajtor nuk është Përparimi, por Lumiri me huqjen e madhe, i cili me këtë kandidaturë e dëshmoi vetën, se edhe pas pesë vjetësh qëndrimi në LDK, ende nuk është natyralizuar me këtë subjekt politik!

Kryetar skandaloz i LDK-së, më shumë i preferon apartiakët dhe parashutistët politikë sesa aktivistët dhe veprimtarët e devotshëm të LDK-së, më shumë i mbështetë dezertorët e LDK-së sesa qendrestarët dhe anëtarësinë besnike të LDK-së dhe filozofisë politike rugoviane!

Lumiri i cili më shumë i beson një apartiaku sesa secilit anëtarë të LDK-së, shumë shpejtë do ta kthejë LDK-në në paqavurë të LVV-së së Albin Kurtit, ashtu siq e kishte kthyer Isa Mustafa në paqavurë të Hashim Thaçit dhe PDK-së.

Një gjë është e sigurtë, me “Përparimin” e LDK-së do të përparojnë partitë e tjera në garën e Prishtinës. I preferuari i kryetarit Abdixhiku do ta përfundojë garën në sfilatën e parë. Mbetet të shihet cili do të jetë fituesi pas balotazhit mes dy kandidatëve të partive rivale të LDK-së!

Me këtë kandidaturë, kryetari i ri i LDK-së po e dëshmon se nuk e do ngritjen, por rënjën e mëtutjeshme dhe poshtërimin e LDK-së!

Sikur të ishte ndryshe Lumiri ka pasur dhe ka alternativa tjera më të mira nga secila degë e LDK-së në Prishtinë.

Sikur të mos e kishte asnjë zgjidhje tjetër, zgjidhje më e mirë dhe më e dinjitetshme do të ishte adhuruesja e flaktë e LDK-së rugoviane, e madhja Adelina Ismaili e cila do ta ngriste edhe një herë në këmbë elektoratin rugovian.

Kryetari i ri, pasues vasal i kryetarit paraprak

Në këtë rast, pashmangshëm shtrohet pyetja hipotetike, nëse vërtetë kryetari i ri i LDK-së nuk i beson asnjërit prej bashkëpunëtorëve, aktivistëve dhe veprimtarëve , atëherë me çfarë verbërie politike këta të fundit ia miratojnë propozimin e tij për një figurë anonime jashtë radhëve të LDK-së për kryetar të Prishtinës!?

Nëse LDK-ja ka ardhur deri në këtë deregje, sa të mos e ketë asnjë kandidatë të saj për kryetar të Prishtinës, atëherë më mirë do të ishte që Lumiri ta ngriste flamurin e bardhë të dorëzimit në zgjedhjet e vjeshtës, sesa të lejojë turpërimin dhe poshtërimin e mëtutjeshëm!

Megjithatë, është për t’u përshendetur sinqeriteti arkitetktit Përparim Rama, i cili e dëshmojë publikisht se nuk është anëtarë dhe as mbështetës i LDK-së, porqë është i ngarkuar me këtë mision nga kryetari aktual, pa asnjë gjasë për të fituar garën në kryeqytet; “Nuk jam i anëtarësuar në LDK, jam apartiak dhe apolitik nuk kam qenë kurrë politik, por do të garojë si kandidat i LDK-së”!

Kandidimi i një apartiaku për kryetar të Prishtinës nga kryetari i ri i LDK-së, e ngritë dilemën e madhe , se a ka librezë të LDK-së apo jo Lumir Abdixhiku!?

Shkruan: Florim ZEQA

Leave a Reply