Të ndalohet me ligj riciklimi i deputetëve në Kuvend!

0
513

Ka një kohë të gjatë që flitet dhe shkruhet për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, por akoma asnjë iniciativë konkrete sa i përket nismave në Kuvend. Në ndërkohë, vakumet ligjore në Kushtetutë po shfrytëzohen nga akterët e politikës për interpretim të neneve dhe akteve nënligjore sipas orekseve të tyre ditore.

Nuk janë vetëm nenet e kontestuara; Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit], Neni 84 [Kompetencat e Presidentit], Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë], Neni 100 [Mocioni i Votëbesimit] apo Neni 112 [Parimet e Përgjithshme], por janë edhe shumë Nene dhe akte tjera nënligjore të kushtetutës që përcaktojnë të drejtat dhe kufizimet e deputetëve, të cilat duhet përmirësuar me urgjencë, për të parandaluar abuzimin e subjekteve politike dhe deputetëve të zgjedhur me votën e popullit nën listat zgjedhore (“ombrellën”) e partive politike.

Kontrabandimi i vullnetit të elektoratit

Në Kosovën e pas 17 shkurtit, apo siq jemi mësuar ta quajmë në Kosovën e pas pavarësisë, kanë ndodhur anomali të shumëta me rastin e kontrabandimit të vullnetit të elektoratit politik nga njëri pol në tjetrin,…sikurse që jemi mësuar të shohim riciklimin e figurave politike nga njëra parti politike tek tjetra.
Mbase çdo lëvizje të figurave politike jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës mund ta marrim si çështje normale politike, por jo edhe riciklimin e tyre brenda të njëjtës legjislature të Kuvendit.
Siq e ceka edhe më sipër, liritë dhe të drejtat e deputetit, si i zgjedhur i popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të rregullohen dhe të mbrohen me ligj, e jo të lihen në dëshirën e dëputetëve dhe “mëshirën” e liderëve partiakë.
Duhet të rregullohet me ligj, që një deputet i zgjedhur për Kuvendin e Republikës së Kosovës përmes një liste zgjedhore, të mos ketë të drejtë që gjatë së njëjtës legjislaturë t’i bashkangjitet një grupi tjetër parlamentar.
Lëvizjet e tilla bien ndesh me vullnetin e elektoratit dhe premtimet elektorale të deputetit. Për më tepër se kaq, riciklimi i deputetëve nga një subjekt në tjetrin, nga një grupim parlamentar në tjetrin lenë shije të keqe tek qytetarët, gjegjësisht tek votuesit të cilët kanë votuar për një listë zgjedhore, ndërsa deputeti me kalimin në grupimin tjetër parlamentar, drejtëpërdrejtë e kontrabandon vullnetin e tyre për interesa personale apo klanore.
Në legjislaturat e mëparshme kemi pasur raste të panumërta kur deputetët apo deputetet kanë shkelur premtimin elektoral dhe tradhtuar subjektin politik për interesa personale.
Kalimi i deputetëve brenda një legjislature nga njëri grupim parlamentar në tjetrin, përveq papërgjegjësisë politike, paraqet edhe pandershmëri njerëzore ndaj subjektit i cili i solli në Kuvend.

Hyn deputet nga një parti, del nga kuvendi si anëtarë i një partie tjetër

Grumbullimi i votave përmes një liste zgjedhore, nga secili deputet duhet të shihet si një llojë kontrate me subjektin politik dhe besnikëri ndaj votes së elektoratit.
Ndryshe, çdo bartje e votës tek subjekti tjetër paraqet kontrabandim dhe tradhti ndaj elektoratit partiak.
Deputetet që kërcejnë sikurse karkalecat nga njëra parti tek tjetra, nuk janë gjë tjetër veqse figura të ricikluara, të padobishme dhe “karta” të djegura politike.
Nuk se si ta quash ndryshe një deputet, pos figurë të ricikluar politike, e cila brenda një legjislaure i ndërron dy parti politike apo brenda 3 legjislaturave i ndërron 5 subjekte politike.
Ndodhë pikërisht kështu për shkak se, këtyre figurave politike u mungon sinqeriteti dhe vetëbesimi apo vuajnë nga egoja e madhe për pushtet dhe privilegje, dhe si të tilla kërkojnë shtegun e kapërcimit të “ylberit” pa e ditur fare se çka i pret pas kapërcimit të atij pragu!
Deputetët e “shkathtë” që kalërojnë nëpër të gjitha partitë politike derisa ta kalojnë “ylberin”, bëjnë mirë që ta provojnë forcën reale të tyre si deputet të pavarur, e jo të luajnë bixhoz me vullnetin e elektoratit partiak.
Sa më parë duhet të nxjerret ligji që përcakton qartë detyrat dhe obligimet kushtetuese të deputetit si dhe përgjegjësitë që ka ndaj votuesit dhe detyrimet që mbanë ndaj subjektit që përaqëson.
Një deputet i hyrë në Kuvendin e Kosovës përmes një liste zgjedhore nuk mund të sillet si deputet i pavarur. Pra, nuk duhet t’i lejohet një deputeti të një liste zgjedhore që t’i bashkangjitet një liste tjetër në Kuvend.
Si deputet i Kuvendit duhet të qëndroj deri në fund të mandatit kushtetues si pjesë e të njëjtit grupim parlamentar ose të largohet nga Kuvendi, ndryshe nuk ka kuptim as gara zgjedhore, e aq më pak listat zgjedhore të subjekteve politike.
Për shkak se, kandidati i një liste zgjedhore po hyn deputet nga një parti, e po del nga kuvendi si anëtarë i një partie tjetër politike.
E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për kandidatët për kryetar të komunave. Deri më tani i kemi së paku tri raste, kur një kandidat bëhet kryetar i një komune përmes një subjekti politik, ndërsa e përfundon mandatin e kryetarit me librezën e një partie tjetër politike.
Sikurse në sport që respektohen afatet kalimtare, bie fjala të kalimit të futbollistëve nga një klub në tjetrin, ashtu edhe në jetën parlamentare duhet të përcaktohen qartë afatet kohore kur dhe si deputeti i një partie politike mund të bëhet pjesë e një partie tjetër, e jo ta shfrytëzojnë deputetët sallën e Kuvendit si figurë shahu për kalërim sipas ofertave ditore të liderëve partiakë.
Riciklimet e tilla janë antidemokratike dhe bastardojnë porceset zgjedhore në përgjithësi, demoralizojnë qytetarët dhe demotivojnë votuesit për zgjedhjet e radhës.

Shkruan: Florim ZEQA

Leave a Reply