Të jetosh e lirë, në realitet të vështirë

0
48

Tirana por jo vetëm, pothuaj të gjitha qytetet e mëdha kanë fatin që jo vetëm të jenë një qendër e zhvilluar nga ana ekonomike, zhvillimore, urbane, me ndërtesa të larta, godina luksoze, bare të shtrenjta, kafebërëse moderne e shumë gjëra të tjera të cilat për ata që janë vendas rrallë se përbën ndonjë dukuri që shkakton çudi, përkundrazi të gjithë bëjnë jetën e tyre të qetë nga kjo pjesë.

Nga çka vemë re është se në këto qendra përveç zhvillimit që përmendëm është edhe një pjesë shumë e rëndësishme, aspekti social. Për shumë individë kjo nuk përbën ndonjë pjesë të rendësishme për të cilën duhet  të jemi të shqetësuar, por në realitet aspekti kulturor dhe social është një nga elementet që kërkon vëmendje të veçantë. Vendi ynë dukshëm përballet me dukurinë e një pakënaqësie sociale sidomos nga ana e vajzave të cilat e kërkojnë këtë lloj mirekuptimi shoqëror. Të gjithë ne kemi qenë nxënës, studentë dhe kemi vënë re një dëshirë të zjarrtë nga ana e vajzave për t’u larguar nga zonat ku jetojnë, këto zona janë qytete të vogla me grupe të ngushta sociale, kjo zbastisje sipas tyre vjen për arsye që janë traditat e çuditshme të kohës së gjyshes. 

Në fakt, problemi nuk qendron te gjyshet dhe zakonet e tyre të cilat për kohën janë të kuptueshme, por për një fenomen të çuditshëm që ka shoqëria shqiptare, pikërisht me vështirësinë në të ndryshuar të zakonit të marrë më parë. Shoqëria jonë lidhet ngushtë me menyrat e vjetra e të edukuarit të një fëmijë apo e stilit të jetesës. 

Ndoshta në këtë formë është gjetur një lloj rehatie shpirtërore nga ana burrave për të menaxhuar sjelljen e fëmijëve, specifikisht të vajzave, e them këtë sepse norma  ndryshon për gjininë e preferuar, pra, djemtë, ose për rehatinë që zakoni u ka vënë luksin ta kenë. Ajo se çfarë është e trishtueshme në këtë rast është pikërisht ndrydhja, lëngimi shpirtëror, mungesa e shijimit të adoleshencës, mungesa e lirisë për t’u shprehur, ndofta edhe për t’u shkolluar, martesa të hershme etj. Të gjitha këto përbëjnë një dramë të madhe kolektive, kjo sepse sjell fenomene shpërthyese në skandale seksuale, shthurje, ekzaltim në të shijuarin e gjërave kur iu jepet mundësia, dalldisja në gjërat e thjeshta etj. Kujtoj që vite më parë dëshira e vajzave që jetonin në zona jourbane ishte që të dilnin në kafene njësoj siç ato preceptonin se pikërisht vepronin vajzat e qytetit,  sipas tyre kjo gjë ishte qejf, ishte një lloj kënaqësie e veçantë që jepte ndienjën e pavarësisë, barazisë dhe lirisë, por jo vetëm, dëshira për të lyer sytë, buzët me buzëkuq apo për të hequr vetullat ishte për to një ëndërr e ndaluar, shkaku i kësaj ishte se vajzat që e bënin cilësoheshin si të “përdala” dhe me probabilitet që askush nuk do t’i kërkonte për grua. Këto preceptime allasoj vrasin çdo ditë botën e femrave të cilat pyesin se ku qendron e keqja e lyerjes së thonjve, qerpikëve apo flokëve. Në fakt e trishtë që është ende një e keqe në i thënçin, të cilën edhe sot nuk e po e marrim vesh. Mendime dhe veprime të tilla ngadalësojnë zhvillimin social, kuturor çdo ditë dhe nëse ka arsye që qytetet apo fshatrat nuk ecin përpara është pikërisht se te rinjtë dhe të rejat nuk e duan më këtë realitet të kufizuar.

Shkruan: Erisa SIPRI

Leave a Reply