Të jesh shkrimtar shqiptar në shtetin pa kujtesë

0
566

Disa nga shkrimtarët shqiptarë të Kosovës janë raste sociale, jetojnë si mos më keq, ndërsa shteti ynë nuk çanë kokën fare për ta.

Ata që jetojnë me pensione, mezi arrijnë të blejnë ilaqet me to, ndërsa për të blerë libra as që mund të bëhet fjalë. Ndërsa, ka edhe shkrimtarë që janë thjesht pa punë ose me ndonjë punë që paguhet pak. Ka mes tyre që ndajnë nga kafshata e gojës për të botuar disi librat e vet. E sigurtë është që asnjë shkrimtar në këtë vend nuk mund të jetojë nga puna si shkrimtar. Ndonjë çmim letrar që ndahet nga qeveria, u jipet zakonisht atyre që janë të fortë, që janë më afër pushtetit. Ndonjë komplet veprash që botohet me paratë e taksapaguesve, gjithsesi do të jetë i atyre që janë gjallë e që kanë lidhje me qeverinë. Ndërsa, veprat e shkrimtarëve që kanë vdekur, nuk ribotohen, thjesht janë harruar.

Poashtu dramat e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës pothuajse janë të ndaluara në skenat e teatrove, edhe ashtu miserable, të këtij vendi. Jo rastësisht Kosova është dizajnuar si shtet pa kujtesë. Prandaj, në një shtet të tillë injorohen e harrohen shkrimtarët, sepse ata bëjnë ç’bëjnë, kujtesës shqiptare i referohen. Fatmirësisht, këtu te ne shkrimtarët nuk trajtohen me metodën që propozonte Platoni, me përndjekje dhe dëbim nga shteti. Paj, këtu te ne nuk ka nevojë për atë metodë. Këtu mjafton t’i lësh pa bukë, t’ua injorosh veprat, t’i harrosh. Shkrimtarët pastaj vdesin shpirtërisht, shumë para se të vdesin fizikisht. Kjo saktësisht ka ndodhur tashmë në shtetin tonë të shumëdashur, “t’u Kosovës.”

Ndonjë çmim pompoz si ai për Kadarenë, kot përdoret si gjethe fiku për ta mbuluar mëkatin që është institucionalizuar tashmë si politikë shtetërore kundër shkrimtarëve shqiptarë dhe kundër letërsisë shqipe të Kosoëvs. Më saktë, kundër kujtesës. Pse kundër kujtesës? Sepse shkrimtarët shqiptarë të Kosovës kanë qenë projektuesit e pavarësisë së Kosovës. Veç për qata. Fabrikuesit e meritave dhe të miteve të rreme, nuk e tolerojnë të vërtetën se kush e projektoi pavarësinë e këtij shteti. Ndaj edhe importojnë ndonjë figurë që të lajnë duart nga krimi. Ndaj është fat ters të jesh shkrimtar shqiptar në këtë shtet pa kujtesë.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Leave a Reply