Të drejtat e njeriut dhe mjedisi i shëndetshëm të vendosen në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm

0
96

Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut. Prandaj kjo datë për çdo vit shënohet si Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Mirëpo, organet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë vënë në pah faktin se të drejtat e njeriut nuk mund të gëzohen pa një mjedis të sigurt, të pastër dhe të shëndetshëm, ndërkohë që edhe qeverisja e qëndrueshme mjedisore nuk mund të jetësohet pa respektimin e të drejtave të njeriut.

Sipas Zyrës së Komisionarit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut (www.OHCHR.org)  të gjithë njerëzit varen nga mjedisi ku jetojnë, me ç’rast mjedisi i sigurt, i pastër dhe i qëndrueshëm është i nevojshëm për gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat për jetën, shëndetin, ushqimin, ujin dhe zhvillimin, dhe paralelisht ushtrimi i të drejtave të njeriut si informacioni, pjesëmarrja, përmirësimi, liria e shprehjes dhe marrëdhëniet, janë kritike për mbrojtjen e një mjedisi të shëndoshë. Pra pa një mjedis të shëndetshëm, njerëzit nuk mund ti përmbushin aspiratat e tyre. Kësisoj në dekadat e fundit ndërvarësia midis të drejtave të njeriut dhe mjedisit është bërë e pamohueshme, prandaj dhe numër i madh i shteteve kanë përfshirë të drejtën për një mjedis të shëndetshëm në kushtetutat e tyre.

Edhe në Kushtetutën e Kosovës, përkufizohet se rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet pos tjerash edhe në mbrojtjen e mjedisit (neni 7). Më tej theksohet se natyra  dhe  biodiversiteti, mjedisi  jetësor  dhe  trashëgimia  kombëtare,  janë  përgjegjësi  për  secilin; pastaj që institucionet  e  pushtetit  publik  angazhohen  për  t’i  garantuar  secilit  mundësinë  që  të  ndikojë  në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton; dhe se ndikimi në mjedisin jetësor merret parasysh nga institucionet publike në procesin e marrjes së vendimeve (neni 52). Krahas kësaj në fuqi janë edhe një varg ligjesh që kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit përkatësisht që ai të jetë i shëndetshëm dhe i sigurt.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën ka pohuar se tek mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, zbatimi i legjislacionit për të drejtat e njeriut dhe mbikëqyrja dhe koordinimi i mekanizmave ekzistues të të drejtave të njeriut mbetet një sfidë. Gjithashtu ka konstatuar progres të kufizuar në adresimin e çështjeve mjedisore, duke potencuar se nevojitet vullnet më i fortë politik për të adresuar degradimin e mjedisit dhe sfidat për ndryshime klimatike.

Muaj më parë, edhe Avokati i Popullit pat theksuar se Kosovën “vazhdojnë ta sfidojnë çështjet e mëdha të ambientit si problemet e ujit, ajrit dhe tokës, menaxhimit të mbeturinave, kontrollimit të zhurmës dhe të gjitha këto probleme mjedisore mbeten pothuajse në fazë të njëjtë për gjatë viteve” dhe se “nuk është arritur ndonjë përmirësim në zbatimin e legjislacionit mjedisor, si dhe mbrojtjes së të drejtave mjedisore në gjykatë”, derisa “respektimi i së drejtës së publikut për qasje në informata mjedisore dhe pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse lidhur me mjedisin vazhdon të përcillet me paqartësi dhe sfida”.

Duke u bazuar në lidhjen e pandashme të drejtave të njeriut me mjedisin e shëndetshëm, EC Ma Ndryshe ka hartuar “Udhëzuesin për të drejtat e njeriut ndaj mjedisit në Kosovë” (https://ecmandryshe.org/repository/docs/201202110304_rUdhezuesi_per_te_drejtat_e_njeriut_ndaj_mjedisit_ne_Kosove_.pdf), ku janë përmbledhur dispozitat e përzgjedhura ligjore, të cilat adresojnë të drejtat e qytetarëve në raport me mjedisin jetësor të tyre. Më saktësisht ky dokument ofron një pasqyrë të përgjithshme të të drejtave, obligimeve dhe kufizimeve të institucioneve publike dhe qytetarëve në raport me mjedisin, si promovim i parimeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut rreth çështjeve mjedisore.

Natyrisht se të drejtat e njeriut kanë pasur efekt pozitiv për njerëzimin, dhe ato janë duke u përdorur gjithnjë e më shumë në përpjekjet për adresimin e sfidave mjedisore në mbarë globin. Një gjë e tillë ka bërë që sot të kemi edhe një numër shtetesh, ku e drejta për një mjedis të shëndetshëm është manifestuar me kornizë ligjore më të fuqishme, përfshirje më të madhe të qytetarëve në politikat dhe çështjet mjedisore, që kanë rezultuar me një mjedis më të qëndrueshëm për ta.

Për këto arsye EC, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, i bën thirrje të gjithë institucioneve dhe akterëve të shoqërisë në Kosovë që të drejtat e njeriut dhe mjedisin e shëndetshëm ta vendosin në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky artikull është shkruar nga EC Ma Ndryshe, mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj “Human Rightivism” që zbatohet nga Community Development Fund – CDF. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura këtu nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të donatorëve.

Leave a Reply